1000 euro dokumenti, goditet grupi që falsifikonte viza për emigrantët në Shqipëri

Policia e Shtetit ka arrestuar një 22-vjeçar nga Bregu i Fildishtë pasi dyshohet se në bashkëpunim me disa persona tjerë falsifikonin viza për emigrantët në Shqipëri.
Policia e Shtetit bën të ditur se si rezultat i ndjekjes disajavore të një informacioni të siguruara në rrugë operative, për disa raste të sigurimit dhe shitjes së dokumenteve false, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare i DVP Tiranë finalizoi operacionin e koduar “Itinerari”.
“Gjatë periudhës hetimore u dokumentuan 7 raste të veprimtarisë kriminale të 3 shtetasve, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, falsifikonin viza për të hyrë në Shqipëri dhe ua shitnin ato, emigrantëve nga vendet e treta, me 1000 euro për dokument.
Gjithashtu, në kuadër të operacionit, u ndalua organizatori i kësaj veprimtarie, shtetasi A. T., 22 vjeç, lindur në Bregun e Fildishtë dhe banues në Paskuqan, si dhe u proceduan penalisht shtetasi Y. Z., 22 vjeç, lindur në Bregun e Fildishtë dhe banues në Paskuqan, si dhe shtetasi shqiptar A. R., 46 vjeç, banues në Shkodër”, thuhet në njoftim.
Policia njofton se po vijojnë hetime për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të këtyre shtetasve, në këtë fushë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/





















































