1.593 gjoba dhe 31 aksidente në një javë në rajonin e Ferizajt


Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se gjatë javës së kaluar ka intensifikuar aktivitetet për parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, duke shqiptuar 1.593 gjoba kundërvajtëse dhe duke pezulluar 29 patentë shoferë për shkelje të rënda në trafik.
Sipas të dhënave zyrtare të policisë, në periudhën 29 qershor – 5 korrik 2026, në rajonin e Ferizajt janë regjistruar gjithsej 31 aksidente trafiku.
Prej tyre, 11 aksidente kanë qenë me lëndime trupore, ku kanë mbetur të lënduar 16 persona, ndërsa 20 aksidente janë raportuar vetëm me dëme materiale.
Policia Rajonale e Ferizajt ka theksuar se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara në terren me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion dhe parandalimit të aksidenteve.
Po ashtu, policia ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ngasjes.
“Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me aktivitete të shtuara për të parandaluar aksidentet dhe apelon tek të gjithë shoferët që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat e trafikut”, thuhet në njoftim.
Autoritetet kanë ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me policinë dhe të raportojnë çdo kundërvajtje në trafik përmes stacioneve policore, aplikacionit digjital "Lajmëro Policinë" si dhe në numrin kujdestar 192. /Telegrafi/





































