LAJMI I FUNDIT:

Zyrtarët korrektues nuk e gjetën në punë, i pezullohet leja e punës të burgosurit në Smrekonicë

Zyrtarët korrektues nuk e gjetën në punë, i pezullohet leja e punës të burgosurit në Smrekonicë

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka marrë vendim që t’ia pezulloj lejen e punës jashtë institucionit të burgosurit A.H, për shkak se gatë vizitës së zyrtarëve korrektues, i burgosuri nuk ishte në vendin e punës.

Sipas njoftimit të SHKK-së, vendimi është marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Korrektues të Kosovës, pas raportimit të zyrtarëve se i dënuari nuk kishte ishte në vendin e tij të punës.

“Gjatë vizitës së zyrtarëve korrektues nëpër lokacionet e vendeve të punës në njërin nga lokacionet ka rezultuar se i dënuari A.H nuk ka qenë prezent në vendin e punës sipas marrëveshjes, andaj në bazë të kompetencave që ka Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Korrektues të Kosovës, ka marr vendim që të njëjtit t’i pezullohet leja e punës jashtë institucionit”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.


SHKK që nga muaji nëntor i vitit të kaluar, ka filluar zbatimin e Udhëzimit Administrativ në Qendrën Korrektuese të tipit të hapur të Smrekonicës për punën e të burgosurve jashtë institucionit korrektues, me ç‘rast deri më tani nga ky vendim kanë përfituar katërmbëdhjetë të dënuar.

Puna e të burgosurve jashtë institucionit korrektues është konsideruar si aktivitet i nevojshëm drejtë risocializimit të suksesshëm dhe përgatitjes së tyre për tu rikthyer në shoqëri si individ të përgjegjshëm dhe të dobishëm për shoqërinë. /Telegrafi/