KF Llapi ka bërë një goditje të rëndësishme në afatin kalimtar të verës, duke zyrtarizuar rikthimin e mesfushorit Kushtrim Shabani në radhët e veta.

Futbollisti 28-vjeçar ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me klubin bardhekaltër, e cila do ta mbajë të lidhur me skuadrën e Podujevës deri në qershor të vitit 2027.


Pas dy edicioneve të kaluara tek SC Gjilani, Shabani kthehet në shtëpinë e tij, aty ku u rrit si futbollist dhe ku ka qenë një nga figurat kryesore në sukseset e klubit në vitet e fundit.

I njohur për angazhimin, përkushtimin dhe lidershipin në fushën e blertë, Shabani rikthehet me më shumë përvojë dhe me motivim të shtuar për të ndihmuar Llapin në realizimin e objektivave për sezonin e ri.

Rikthimi i tij përbën një hap të rëndësishëm në ndërtimin e një skuadre të fortë dhe konkurruese, e përbërë nga futbollistë me karakter dhe cilësi, që do të synojë rezultate të mëdha në edicionin e ardhshëm. /Telegrafi/

telegrafi sport app