Klubi anglez nga Championship, Ipswich Town ka njoftuar zyrtarisht transferimin e mesfushorit shqiptar, Anis Mehmeti nga Bristol City.

Reprezentuesi i kombëtares së Shqipërisë ka ndryshuar klub gjatë ditës së sotme (e premte), por jo edhe kampionat, pasi vazhdon të mbetet pjesë e Championshipit anglez.


“Klubi është i kënaqur të konfirmojë nënshkrimin e Anis Mehmetit nga Bristol City. 25-vjeçari i bashkohet Bluve për një tarifë të pazbuluar dhe ka nënshkruar një marrëveshje deri në verën e vitit 2029”.

“Një sulmues i gjithanshëm, Anisi transferohet në Portman Road pasi ka shënuar tashmë tetë gola dhe ka kontribuar me gjashtë asistime gjatë gjysmës së parë të sezonit 2025/26 të Sky Bet Championship”, thuhet në njoftim.


Faqja zyrtare e Ipswich Town ka zbuluar gjithashtu se pasi të përfundojë transferimin e tij, Mehmeti do të veshë fanellën me numër 33.

"Jam shumë i emocionuar që kam nënshkruar për klubin. Çdo gjë që klubi po përpiqet të arrijë përputhet me ambiciet e mia dhe kjo flet vetë. Tifozët janë të mrekullueshëm dhe mezi pres të luaj para tyre”, ka thënë Mehmeti pas nënshkrimit.

Ndryshe, Ipswich Town momentalisht zë vendin e tretë në renditje në Championship dhe është njëri nga pretendentët kryesor për t’u ngjitur në Ligën Premier për edicionin e ri. /Telegrafi/

telegrafi sport app