Kosova ende ka mbetur peng i procesit zgjedhor. Edhe pas një muajit nga përfundimi i zgjedhjeve, ende është duke u zvarritur krijimi i qeverisë së re dhe procesi i formimit të institucioneve.

Ndonëse, rezultatet preliminare u shpallën po atë ditë do të thotë më 6 tetor, certifikimi i tyre nuk është bërë ende. Kjo pasi që pati ankesa nga subjektet politike dhe nga kandidatët për deputet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

E, nga ankesat e shumta, PZAP mori dy vendime, që zvarritin edhe më shumë certifikimin përfundimtar të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit. Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) nga ankesat që kishte, mori vendim që të urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të rinumëroj edhe njëherë 1,472 vendvotime. Po ashtu ky Panel ka aprovuar ankesën e koalicionit NISMA-AKR-PD për të përjashtuar nga rezultati zgjedhor votat e ardhura nga Serbia.

Mirëpo, njohësit e politikës theksojnë se nga këto dy vendime do të marr edhe shumë kohë që të formohen institucionet.

Sipas tyre një gjë e tillë është humbje e madhe për Kosovën, e mbi të gjitha për qytetarët e vendit.

Profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, në një deklaratë dhënë Telegrafi ka thënë se procesi i zgjedhjeve ishte proces korrekt deomkratik por, sipas tij tani pas shpalljes së rezultateve ka ndodhur një fenomen që është i paprecedent.

“Është një humbje për institucionet tona, për qeverisjen, e mbi të gjitha për qytetarët. Kjo pasi që jemi në një situatë ku kemi vakum institucional, pasi që qeverisja e kaluar nuk ka ingirenca për të vepruar, është dorëhequr. Procesi i zgjedhjeve ishte proces korrekt deomkratik, dhe i sakt zgjedhor. Por, tani pas atij peisazhi të procesit të ditës zgjedhore, në procesin e shpalljes së rezultateve ka ndodhur një fenomen që është i paprecedent në historinë elektorale të Kosovës qe tash e 20 vjet. Por, edhe i rrallë dhe i pashemmbullt edhe në analet historike të demokracisë elektorale e më gjerë se kaq”, ka thënë ai duke shtuar se është një zvarritje që e dëmton shumë imazhin e vendit dhe që shkakton vonesa në formimin e institucioneve.

“Pra një proces i zvarritur, i cili fillimisht filloi me rinumërimin në dy cikle të rreth 30% të votave, tani me vendimin e fundit të PZAP-it, edhe në një përqindje më të madhe që shkon diku rreth 98%. Kjo faktikisht nënkupton edhe komplikim të situatës, edhe degradim e diskreditim të procesit kaq të besueshëm dhe të mirë, si dhe provimit që dha qytetari në këto zgjedhje. Kjo nënkupton përsëritje të procesit elektoral pa e shpallur ditën e zgjedhjeve dhe pa e akredituar atë. Është një zvarritje që e dëmton shumë imazhin tonë, është një zvarritje që tenton dhe shkakton vonesa në formimin e institucioneve”, ka theksuar ai.

Baraliu ndër të tjera ka thënë se nëse nuk ka ankesa në Gjykatën Supreme, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) do t’i duhen 20 ditë kohë t’i rinumërojë 1,472 vendvotimet

“Ky rinumërim ndikon jo vetëm në ankthin e qytetarëve, por edhe në formim të institucioneve brenda dhe jashtë vendit. Çka është duke bërë kjo klasë politike? Ç’kërkon me këto veprime të dyfishta, dhe me mënyra e metoda makiaveliste, herën tjetër me metoda santaliane? Po ashtu dallojnë ngjyrat politike dhe objektivat politike të vendit, që do të duhej t’i vënë interesat politike të vendit para interesave grupore dhe partiake, pa dallim në gjithë klasën politike që ka përgjegjësi. Duket sikur është një dorë e padukshme prapa që i tërheq pengjet, dhe i tërë rezultati është me pasoja të dëmshme. Po ashtu një gjë e tillë degradon procesin dhe mundin e qytetarëve, që ka bërë ndryshimin, ndërsa dikujt nuk po i pëlqen dhe po e prolongojnë në forma të ndryshme”, ka deklaruar ai.

Analisti politik, Besnik Vela, ka thënë për Telegrafin se rinumërimi i 1,472 vendvotimeve të urdhëruara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pritet të zgjas tri javë, dhe se sipas tij kjo bën që certifikimi i rezultatit të ndodh në pjesën e parë të muajit dhjetor.

“Ky fakt, do të duhej të ishte tregues i mjaftueshëm për realizmin e reformës zgjedhore që do të adresonin lëshimet në procedurat e votimit dhe numërimit, si dhe të shtoj në llogaridhënien për personat e përfshirë në manipulimet zgjedhore. Vonesat në certifikimin e rezultatit zgjedhor dhe për rrjedhojë të konstituimit të Kuvendit dhe votimit të qeverisë se re, pritet të ndikojnë në funksionimin e institucioneve në disa aspekte”, ka thënë Vela duke përmendur tri aspektet në të cilat ndikon zvarritja e formimit të institucioneve.

“Së pari, që nga shpërndarja e Kuvendit në muajin gusht, qeveria dhe institucionet tjera publike janë pa mbikëqyrje parlamentare. Funksionimi i tillë pa mbikëqyrje të qeverisë, institucioneve të pavarura dhe institucioneve tjera publike krijon hapësirën për veprime pa transparencë dhe pa llogaridhënie. Në veçanti, kjo situatë mund të keqpërdoret nga ministrat në detyrë për të nxjerr vendime apo edhe për mosreagim në rastet kur kërkohet, që mund të kenë implikime financiare për buxhetin e Kosovës. Së dyti, vonesa në konstituimin e Kuvendit do të thotë se procedura e shqyrtimit të projekt-ligjit për buxhetin e vitit 2020 nuk do të realizohet sipas praktikes parlamentare që do t’i mundësonte organizatave buxhetore të prezantojnë kërkesat e tyre në komisionin parlamentar për buxhet, dhe financa. Kjo do të pamundësojë fillimin e procedurave për realizimin e projekteve të reja kapitale të planifikuara nga ministritë dhe komunat. Po ashtu, qeveria e re do të ketë kohë të limituar për të përgatitur propozimin e tyre të buxhetit për vitin 2020, që do të limitojë mundësinë e organizatave buxhetore që të përshtatin propozimet e tyre në përputhje me prioritetet e reja të koalicionit të ri qeverisës. Se treti, mos votimi i përbërjes së re të qeverisë, le politikën e jashtme në vakum dhe pa drejtim të duhur politik. Situata e tillë është e rëndësishme pasi që përgatitjet për marrëveshjen finale me Serbinë janë vënë në lëvizje nga ndërmjetësuesit ndërkombëtar. Është tejet e rëndësishme që zëri burimor i qeverisë së re të Kosovës është i përfaqësuar dhe reflektuar në përcaktimin e kornizës negociatore për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë”, ka thënë ai.

Vela ndër të tjera ka theksuar se vonimi në konstituimin e Kuvendit, pamundëson mbikëqyrjen parlamentare, sigurimin e transparencës dhe llogaridhënien lidhur me procesin negociator, gjë e cila sipas tij ka munguar në të gjitha fazat e procesit të negociatave në Bruksel nga viti 2012 deri 2017.
“Po ashtu, instrumentet e politikes së jashtme të Kosovës janë në defensivë ndaj tentimeve të vazhdueshme të Serbisë për tërheqjen e njohjeve të shteteve, dhe kontestimit të subjektivitetit të saj regjional dhe ndërkombëtar. Në këtë periudhë para formimit të qeverisë së re, Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme më tepër është marrë me akomodimin e militantëve partiak në shërbimin e jashtëm diplomatik dhe konsullor, se sa në parandalimin dhe kundërshtimin aktiv të masave që ndërmerren nga shteti serb në arenën ndërkombëtare”, ka deklaruar ai.

Ndryshe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), të mërkurën ka filluar procesin e rinumërimit të 1,428 vendvotimeve në Qendrën për Numërimin e Rezultateve (QNR), ku do të punohet në dy ndërrime, në mënyrë që ky proces të përfundojë sa më shpejt.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se pasi kanë marrë vendimin e PZAP-it dhe pas shikimit me vëmendje të listës së vendvotimeve që duhet të rinumërohen, sipas tij janë: 1,428 vendvotime që do të rinumërohen gjatë ditëve në vazhdim.

Sipas tij nga lista e PZAP-it 30 vendvotime kanë qenë të shënuara nga dy herë dhe 12 vendvotime të tjera janë rinumëruar më parë në QNR me vendim të KQZ-së./Telegrafi/