Komiteti për Komunitete në Prizren ka mbajtur mbledhjen e radhës me ç’rast është prezantuar raporti tremujor i punës së Zyrës Komunale për Kthim dhe Komunitet.

Udhëheqësja e ZKKK-së, Derya Kala ka theksuar se objektivat në bazë të planit vjetor të punës të kësaj zyreje janë ngritja e mirëqenies të komuniteteve minoritare, kthimi i personave të zhvendosur nga regjioni, qëndrueshmëria, siguria, ri-integrimi i personave të riatdhesuar, bashkëpunimi me organizatat vendore dhe ndërkombëtare, shëndetësia, arsimi, etj.


Sa i përket ngritjes së mirëqenies të komuniteteve minoritare Kala ka theksuar se është bërë shpërndarja e pakove ushqimore, sikurse edhe ndërtimi i dy shtëpive nga ministria përkatëse.

“Gjatë muajit të Ramazanit, ZKKK-ja në bashkëpunim me organizatën humanitare ‘’Bereqeti’’, ka bërë shpërndarjen e pakove ushqimore për 100 familje, 35 familje nga komuniteti boshnjak, 35 familje nga komuniteti turk  dhe 30 familje nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian”, ka thënë Kala, para anëtarëve të Komitetit për Komunitete, raporton Telegrafi.

Sipas saj në periudhën raportuese nga ana e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, ka filluar ndërtimi i dy shtëpive për familjet rome në Komunën e Prizrenit.

Lidhur me procesin e kthimit, ajo ka sqaruar se personat e zhvendosur janë njoftuar se cilat dokumente duhet të futen në bazën e të dhënave të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim. Gjithashtu ka treguar se janë zhvilluar edhe vizita informuese në Serbi.

Gjatë periudhës raportuese, sipas ZKKK-ja ka pranuar gjithsej 8 kërkesa në kuadër të ri-integrimit, ku 7 prej tyre  janë kërkesa për vazhdim të akomodimit.

ZKKK-ja në bashkëpunim Departamenti për Ri-integrimin e Personave të Riatdhesuar dhe Integrimin e të Huajve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, sipas Kalës, ka punuar edhe për sigurimin e ushqimit dhe ngrohjes për një personin të riatdhesuar, nga radhët e komunitetit serb, ndërkohë që është vizituar edhe një familje e komunitetit ashkali që është në gjendje të vështirë socio-ekonomike, raporton Telegrafi.

Po ashtu ka vazhduar bashkëpunimi me organizatat e ndryshme ndërkombëtare dhe aktivitetet e përditshme të Zyrës.

Anëtari i këtij Komiteti, Gani Elshani, ka parashtruar kërkesën për mbështetjen e dy familjeve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë në lagjen “Jeta e re”, të cilat sipas tij jetojnë në kushte të vështira banimi.,

Në këtë takim janë shqyrtuar edhe cështje tjera. Anëtarët e këtij Komiteti janë dakoduar që të dënojnë aktet e pahijshme ndaj futbollistit të ri, Belgin Jashari. “Ne theksojmë se veprime të tilla nuk kanë vend në kulturën sportive dhe shprehim mbështetjen tonë që Belgini të vazhdojë të përfaqësojë vendin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme", ka bërë të ditur kryesuesi i Komitetit për Komunitete në Prizren, Ertan Simitçi.  /Telegrafi/