LAJMI I FUNDIT:

Zyra Kombëtare e Auditimit fillon kontrollin e sistemit të licencimit të hidrocentraleve

Zyra Kombëtare e Auditimit fillon kontrollin e sistemit të licencimit të hidrocentraleve

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) njofton se ka filluar auditimin e sistemit të licencimit të hidrocentraleve për periudhën 2015-2021.

Sipas ZKA-së, objektiv i auditimit është dhënia e licencave për hidrocentralet dhe aktivitetet e institucioneve publike për mbrojtjen e mjedisit nga veprimtaria e hidrocentraleve, përcjell Telegrafi.


“Procesit të auditimit do t’i nënshtrohen Zyra e Rregullatorit të Energjisë; Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës; Ministria e Ekonomisë si dhe Komuna e Dragashit, Mitrovicës, Deçanit dhe Shtërpcës. Po ashtu, auditimit mund t’i nënshtrohen edhe Agjencia e Pyjeve të Kosovës dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit varësisht nëse kanë ndërlidhje me fushën e audituar. Në kuadër të këtyre institucioneve fokus i auditimit do të jenë departamentet e lëshimit të lejeve dhe departamentet e inspektoratit lidhur me ndikimin në mjedis dhe ujëra. Fushëveprimi do të fokusohet te dhënia e licencave për hidrocentralet përgjatë viteve 2015-2020 dhe ndikimi i tyre në mjedis dhe ujëra”, njofton ZKA-ja.

Në fund, Zyra e Auditmit thotë se, aktivitetet e secilit institucion përgjegjës për ndërtimin e hidrocentraleve dhe funksionalizimin e tyre me qëllim të prodhimit të energjisë elektrike duhet të zhvillohen në pajtim me parimet e pajtueshmërisë, ekonomisë, efikasitetit dhe efektivitetit. /Telegrafi/