Zjarri përfshinë kulmin e një ndërtese në Fushë Kosovë, tre persona dërgohen në QKUK

Kulmi i një ndërtese është përfshirë nga zjarri mëngjesin e sotëm në Fushë Kosovë, ku tre persona janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar drejtori i zjarrfikësve, Malë Gashi.
Ai tha se rasti ka ndodhur rreth orës 07:54.
"Ekipet menjëherë kanë dalur në vendin e ngjarjes, ishte duke u djegur kulmi i përbashkët i disa banesave. Për një kohë të shkurtë, ekipet kanë arritur që zjarri te jetë nën kontroll. Tashmë, jemi në përfundim. Sipas informatave, një banor ka marrë ndihmën e parë për shkak të tymit", deklaroi Gashi.
Ndërsa, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci tha policia ka dalur menjëherë në vendin e ngjarjes.
"Sot, rreth orës 08:00, policia ka pranuar informatën për një zjarr aktiv në një objekt banesor në rrugën “Shtjefën Gjeçovi”, në Fushë Kosovë. Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë angazhuar edhe zjarrfikësit dhe ekipi mjekësor emergjent. Sipas të dhënave fillestare, tre persona janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Zjarri është lokalizuar, ndërsa hetimet për shkaqet e tij janë në vijim", konfirmoi ai për Telegrafin. /Telegrafi/





















































