LAJMI I FUNDIT:
Prizreni 1° fog

Zjarri në Prevallë, Agjencia e Emergjencave tregon për gjendjen aktuale

Zjarri në Prevallë, Agjencia e Emergjencave tregon për gjendjen aktuale

Zjarri në Prevallë vazhdon të jetë aktiv, por është lokalizuar dhe në vend të ngjarjes janë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Përveç në Prevallë, gjatë ditës së sotme aktiv është edhe një zjarr malor në Shtërpcë, dhe një tjetër në Istog ku janë djegur ushqime bagëtie. Kjo është situatë aktuale me zjarret e raportuar nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave, ku zëdhënësi Nehat Koqinaj thotë se mbrëmë vonë ka pasur zjarr edhe në afërsi të sipërfaqes së KEK-ut.

Në intervistë për KosovaPress, ai shton se hapësira e përfshirë nga zjarri në Prevallë është nën kontroll të plot dhe nuk paraqet rrezik për jetë.


“Kryesisht Kosova krahasuar me rajonin është dukshëm më pak e goditur, e rrezikuar prej zjarreve, përjashtimisht zonave të caktuara të cilat ditëve të fundit sidomos të cilat ishin të atakuara. Këtu e nxjerr në pah sigurisht situatën me Prevallë, ku njësitë vendore, zjarrfikësit me gjithë strukturat e tjera ishin në përpjekje të pandalshme 24/7 që nga data 8 gusht 2024 dhe tek dje ajo vatër zjarri ose ai rrezik u vendos nën kontroll të plot dhe nuk paraqet rrezik në asnjë mënyrë as për jetë, as për pasuri në kuptimin e lagjes dhe vendbanimit në Prevallë. Derisa flora dhe fauna, biodiversiteti në atë zonë u rrezikua rëndë dhe është dëmtuar rëndë për fat të keq”, thotë ai.

Zjarri në Prevallë është aktiv, por sipas Koqinajt është vënë nën kontroll mbi 95 për qind dhe se nuk ka rrezik të shtrirjes.

“Në terrenin ku është shfaqur zjarri në Prevallë është ekstrem i rëndë, i pa përshtatshëm dhe i pa qasshëm nga forcat tokësore. Ku njësia përkatëse e komunës së Prizrenit që nga data 8,9 dhe 10 kanë qenë me kujdestari dhe me reagim 24/7. Derisa para tri dite kërkuan ndihmë përmes agjencisë të aktivizohen komunat fqinje ose komunat tjera për të asistuar dhe dje, nga data 13 dhe 14 u kërkua dhe reagimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët aktualisht janë aty dhe KFOR-i në mbështetje nga ajri i cili u realizua tek dje. I gjithë ky reagim i integruar nga gjitha kapacitetet vendor, të nivelit lokal, të komunave, komunës bartëse të këtij incidenti dhe komunave fqinje dje u arrit të lokalizohet në masë sipas komandantit të incidentit ku ishim edhe ne. Është vënë nën kontroll mbi 95 për qind që do të thotë se nuk paraqet rrezik të mëtutjeshëm të shtrirjes”, shton ai.

Përveç në hapësirat e Prevallës, zëdhënësi i Agjencisë e Menaxhimit të Emergjencave tregon se mbrëmë vonë është shkaktuar një zjarr edhe në afërsi të KEK-ut.

“Gjatë ditës së djeshme u paraqit rreziku në zonën e navigimit ajror nga AShNA ku radarët ose zona e radarëve ose kontrollit ajror ishte e rrezikuar nga një zjarr sipërfaqësor, zjarr i hapur. Gjithashtu e fundit që e mora si informacion nga sistemi i komunikimit të qendrave operative të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent të cilave ju raportojnë komunat përkatëse ose njësitë profesionale të zjarrfikësve të shpëtimit, ishte zjarri në afërsi të sipërfaqes së KEK-ut ku ishin tentativat në orët e vona të mbrëmjes të djeshme për ta lokalizuar dhe eliminuar rrezikun për shtrirjen e mëtutjeshme të zjarrit në afërsi të KEK-ut”, përfundon ai.

Dje e sot në Prishtinë kanë qenë 14 raste të zjarreve fushore, gjashtë në objekte dhe dy zjarre në sipërfaqe pyjore. Ndërkaq në Podujevë janë shkaktuar dy zjarre fushore dhe dy pyjore.