Situata në portin kryesor grek për në Itali, në qytetin Patras, ishte dukshëm më e mirë këtë mëngjes pas një nate përballjeje me flakët, njoftoi zëdhënësi i shërbimit zjarrfikës, Vassilis Vathrakogiannis.

Edhe pse zjarrfikësit ende po luftojnë me “xhepa të shpërndarë” zjarri në skajet lindore të qytetit me mbi 200 mijë banorë, sipas autoriteteve, më e keqja për momentin ka kaluar.


Sipas të dhënave nga programi i BE-së Copernicus dhe Observatori Kombëtar në Athinë, zjarret përreth Patrasit, në ishullin e Egjeut Hios, në Zakintosin Jonian dhe pranë qytetit Preveza, deri të enjten kishin djegur mbi 10 mijë hektarë tokë. Policia ka arrestuar një burrë 25-vjeçar të dyshuar për shkaktimin e njërit prej katër zjarreve që shpërthyen pranë Patrasit të martën.

Të mërkurën, autoritetet u detyruan të evakuojnë një spital për fëmijë dhe një shtëpi për të moshuar, ndërsa zjarri i afrohej zonës urbane. Pamjet dramatike të natës tregojnë flakë që përpinë skajet e qytetit, ndërsa një parking doganor mbi 500 automjete u shkatërruan plotësisht.

Profesori i pylltarisë në Universitetin Aristoteli të Selanikut, Alexandros Dimitrakopoulos, paralajmëron se zjarret pyjore në Greqi po prekin gjithnjë e më shpesh edhe zonat urbane “e kemi parë këtë në Athinë që nga viti 2021, dhe tani edhe në Patras”.

Paralelisht me Patrasin, zjarre serioze vazhdojnë të digjen në ishujt Zakintos dhe Hios si dhe në rrethinën e Prevezës. Në terren janë angazhuar rreth 600 zjarrfikës dhe afro 30 aeroplanë e helikopterë për shuarjen e zjarreve, ndërsa ulja e intensitetit të erës këtë mëngjes e ka lehtësuar ndërhyrjen.

Këtë verë, Greqia po përballet me një seri zjarresh të mëdha pyjore, të nxitura nga temperaturat e larta, për të cilat shkencëtarët paralajmërojnë se janë përkeqësuar nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor. /Telegrafi/