Në anijen amerikane USS Gerald R. Ford (CVN-78) sot shpërtheu një zjarr, i cili ndërkohë është shuar.

Dy marinarë kanë marrë lëndime të lehta, ndërsa anija, sipas informacioneve të para, vazhdon të jetë plotësisht operacionale.


Qendra rajonale e mirëmbajtjes e Naval Sea Systems Command po përgatitet të ofrojë mbështetje flotës.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka publikuar një njoftim në rrjetin social X.

"Në USS Gerald R. Ford (CVN 78) më 12 mars ndodhi një zjarr në lavanderinë kryesore të anijes. Shkaku nuk ka të bëjë me veprimet luftarake dhe zjarri është lokalizuar. Nuk ka dëmtime në sistemin e propulsionit, dhe anija mbetet plotësisht operacionale. Dy marinarë po marrin ndihmë mjekësore për lëndime jo kërcënuese për jetën dhe gjenden në gjendje të qëndrueshme. Do të publikojmë më shumë informacione sapo të jenë të disponueshme", thuhet në njoftim.

Sipas të dhënave të shërbimeve për ndjekjen e anijeve, Ford prej të mërkurës vepron në pjesën veriore të Detit të Kuq, pranë bregut të qytetit saudit Al Wajh.

Aeroplanmbajtësja dhe tre anijet shoqëruese të saj – shkatërruesit USS Mahan (DDG-72), USS Bainbridge (DDG-96) dhe USS Winston S. Churchill (DDG-81) – kaluan Kanalin e Suezit javën e kaluar.

Grupi sulmues i aeroplanmbajtësja Ford po merr pjesë në operacionin “Zemërimi Epik”, një fushatë ushtarake amerikano-izraelite kundër Iranit, që është në javën e dytë. /Telegrafi/