Që nga mbyllja e periudhës së tij të dytë te Real Madridi në qershor të vitit 2021, emri i Zinedine Zidane është përmendur pothuajse çdo herë që ndonjë klub i madh evropian ka kërkuar trajner të ri.

Mes shumë klubeve që e kanë pasur në radar, më së shumti është përfolur Juventusi, por legjenda franceze ka qëndruar gjithmonë i rezervuar, duke ruajtur qartësinë për qëllimin e tij të vërtetë: drejtimin e ekipit kombëtar të Francës.


Në Festival Dello Sport, të organizuar nga gazeta italiane La Gazzetta dello Sport, Zidane foli hapur për planet e tij.

“Patjetër që do të kthehem si trajner. Unë te Juventusi? Nuk e di pse nuk ndodhi. Ende e kam në zemër atë klub. Më vonë, nuk e di. Por një nga qëllimet e mia është të stërvit ekipin kombëtar francez. Do ta shohim kur të vijë koha", tha Zidane.

Këto deklarata e përforcojnë edhe më shumë dëshirën e Zidanes për të marrë drejtimin e Francës, ashtu siç kishte lënë të kuptohej edhe më herët, në maj të këtij viti.

“Ndihem mjaftueshëm i sigurt për të marrë drejtimin e kombëtares franceze, ku kam luajtur për 12, 13, ndoshta 14 vjet. Sigurisht, është një ëndërr e imja dhe mezi pres ta realizoj. Kur të vijë koha, do të jetë një kënaqësi e madhe nëse më jepet mundësia. E kam lënë karrierën time në pritje për pak kohë, por ende ndihem si trajner", deklaroi Zidane.

Skenari për një kalim të mundshëm të Zidane në stolin e “Les Bleus” duket tashmë i shkruar. Arsyeja është e qartë: Didier Deschamps, aktualisht në krye të Francës dhe një ish-shok i Zidane te Juventusi dhe kombëtarja, ka paralajmëruar se do të tërhiqet pas Kupës së Botës 2026.

Nëse kjo ndodh, Zinedine Zidane duket kandidati më natyral dhe më i pëlqyer për ta trashëguar stolin e Francës, duke nisur një epokë të re me një nga figurat më ikonike në historinë e futbollit francez. /Telegrafi/

telegrafi sport app