Nafta ruse ka rënë në rreth 40 dollarë për fuçi, duke shënuar nivelin më të ulët që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Kjo rënie e ndjeshme përbën një goditje serioze për ekonominë ruse, e cila varet në masë të madhe nga të ardhurat që sigurohen nga eksporti i energjisë.


Sipas Bloomberg, sanksionet perëndimore po e thellojnë gjithnjë e më shumë diferencën e çmimit që Rusia është e detyruar të ofrojë për naftën e saj, në krahasim me çmimet ndërkombëtare të tregut.

Për të gjetur blerës, Moska po shet naftën me zbritje të mëdha, çka po redukton ndjeshëm të ardhurat shtetërore.

Në llogaritjet e buxhetit rus për vitin 2025, çmimi i naftës Urals ishte parashikuar të ishte rreth 69,7 dollarë për fuçi.

Rënia aktuale nën këtë nivel krijon një hendek të madh financiar, duke vënë në pikëpyetje aftësinë e Kremlinit për të financuar shpenzimet publike dhe, veçanërisht, ato ushtarake.

Në këto kushte, çdo ditë që kalon me çmime kaq të ulëta nënkupton humbje prej miliardash dollarësh për buxhetin rus, duke rritur presionin ekonomik dhe financiar mbi vendin. /Telegrafi/