Të martën është bërë e ditur lista e plotë e nominimeve për çmimet vjetore të Akademisë, “Oscars 2022”.

Shqiptarët me shumë entuziazëm pritën njoftimin për të nominuarit në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”, në listën e ngushtë të të cilëve ndodhej filmi kosovar “Zgjoi”.


Mirëpo fati nuk u gjend në anën e filmit të shumë çmimeve ndërkombëtare, pasi ai nuk arriti të nominohet në pesë filmat që konkurronin në këtë kategori.

Me gjithë zhgënjimin e përjetuar, aktorja e cila luan rolin kryesor në film, Yllka Gashi, bëri një postim në rrjetin social Facebook, duke i falënderuar të gjithë ata që e mbështetën filmin “Zgjoi” gjatë gjithë rrugëtimit të tij.

Ky është statusi i plotë i aktores (pa ndërhyrje):"'Zgjoi' që e punuam me shumë pasion e përkushtim, na hapi dyer e na e mundësoi jo vetëm të kemi shpërthim ndërkombëtar në karrierat tona, por edhe ta promovojmë Kosovën e suksesin e grave të Kosovës! “Zgjoi” na solli gëzim e na bëri krenarë të gjithëve dhe shkroi histori te re për kinematografinë tonë! Ishte dhe mbetet rrugëtim i bukur e i paharruar, për të cilin jam shumë falenderuese! Falemnderit shumë që u gëzuat për ne e për dashurinë e përkrahjen e jashtëzakonshme që na e keni dhënë tash e një vit! Jam e bindur që në vitet në vijim filmi kosovar do të bëjë histori duke u nominuar e fituar në edicionet e ardhshme të Akademisë. Kosova ka shumë talent e rrëfime autentike të cilat duhet t’i tregojmë! Edhe njëherë falemnderit nga zemra", ka shkruar Gashi.

Përndryshe në kategorinë "Filmi më i mirë ndërkombëtar" janë nominuar filmat: "Drive My Car", "Flee", "The Hand of God", "Lunana: A Yak in the Classroom" dhe "The Worst Person in the World". /Telegrafi/