Çarshia e Vjetër e Pejës po hyn në një fazë të re zhvillimi dhe mbrojtjeje, pasi Plani i Menaxhimit e trajton atë si atraksion turistik të qëndrueshëm, me theks të veçantë në zgjerimin e zonës së mbrojtur.

Sipas këtij plani, zona nën mbrojtje është rritur në mënyrë të konsiderueshme, duke arritur në 25.34 hektarë, ndërkohë që vetë perimetri i Çarshisë së Vjetër përfshin vetëm 3.32 hektarë. Dokumentin e plotë mund ta shikoni KËTU.


Kjo nënkupton se hapësira e mbrojtur është tashmë më shumë se shtatëfish më e madhe se perimetri fillestar i Çarshisë.

Hartues të Planit të Menaxhimit sipas dokumentit kanë bërë të ditur se zgjerimi i zonës së mbrojtur është realizuar edhe si rezultat i kërkesave të drejtpërdrejta të Ministrisë së Kulturës, me synim ruajtjen e vlerave historike, arkitekturore dhe kulturore të kësaj zone.

Plani i Menaxhimit, i cili është publikuar në Gazetën Zyrtare më 31 dhjetor të vitit të kaluar, rrit ndjeshëm edhe përgjegjësinë institucionale, pasi përfshin një territor shumë më të gjerë që kërkon mbikëqyrje, menaxhim dhe mbrojtje të vazhdueshme.

Telegrafi ka kontaktuar Komunën e Pejës në lidhje me këtë zgjerim të Çarshisë së Vjetër.

Zëdhënësi i komunës, Faik Zekaj, ka deklaruar se nuk kanë qenë në dijeni për këtë proces dhe se vetëm kanë pranuar një njoftim.

“Zgjerimi i Çarshisë së Vjetër paraqet pengesë në realizimin e HZK-së, pasi disa nga ngastrat kadastrale që përfshihen në këtë zonë kanë destinim dhe etazhitet tjetër”, ka thënë ai.

“Ne nuk kemi pasur ftesë zyrtare për të qenë pjesë e grupit punues dhe kjo na ka ardhur vetëm si njoftim nga Ministria se zona është zgjeruar”.

Zekaj ka shtuar se Komuna e Pejës ka edhe planin dhjetëvjeçar për zonat kadastrale, plan i cili, sipas tij, është miratuar edhe nga Ministria e Infrastrukturës dhe Planifikimit Hapësinor.

Telegrafi ka kontaktuar edhe Ministrinë e Kulturës për të pyetur nëse ka pasur komunikim me Komunën e Pejës lidhur me zgjerimin e Çarshisë së Vjetër, por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk ka pranuar përgjigje.

Çarshia e Vjetër e Pejës, e vendosur në qendër të qytetit, konsiderohet një nga asetet më të rëndësishme kulturore dhe turistike.

Megjithatë, zgjerimi i zonës së mbrojtur po shihet si problematik nga aspekti i zbatimit në terren, pasi në hapësirën e përfshirë në zgjerim ekzistojnë edhe objekte të larta afariste. /Telegrafi/