Zgjedhjet mund të shtyhen për muajin tetor?

Duke u thirrur në burime të ndryshme anonime brenda taborëve politikë, gjatë tërë pasdites janë plasuar informacione kontradiktore për datën e mundshme të mbajtjen e zgjedhjeve nacionale.
Derisa sipas burimi nga PDK-ja, Kuvendi do të shpërbëhet javën e ardhshme, kurse zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 8 qershor, burime të RTK-së thonë se nëse nuk arrihet marrëveshje për FAK dhe vendet e rezervuara, atëherë zgjedhjet do të mund të shtyhen deri në tetor, mundësi që konfirmohet dhe nga Ramush Haradinaj.
Kështu bëjnë të ditur për RTK-në burime mirë të informuara, të cilët folën pas takimit të sotëm treorësh mes liderëve të partive politike në rezidencën e Ambasadores Tracy Jackobson, ku i pranishëm ishte edhe përfaqësuesi i BE-së Samuel Zhbogar, transmeton rtk.
Liderët partiakë nuk arritën asnjë marrëveshje, e këtë e konfirmoi tërthorazi vetëm kreu i PDK-së Hashim Thaçi, i cili ishte i vetmi që foli pas takimit, takim që u mbajt për të diskutuar për votimin në Kuvend të Forcave të Armatosura dhe mbajtjes së zgjedhjeve.
Thaçi ritheksoi se subjekti që ai drejton, është pro mbajtjes së zgjedhjeve sa më parë dhe ato të jenë të vëzhguara si nga Bashkimi Evropian ashtu edhe nga SHBA-ja.
E kreu i LDK-së Isa Mustafa, edhe pas takimit në rezidencën e kryediplomates amerikane Jacobson, rikonfirmoi qëndrimin e prerë se LDK-ja në asnjë mënyrë nuk do t'i përkrahë vendet e rezervuara për minoritete por mbeten gjithnjë të gatshëm për të votuar krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Sipas Mustafës, nuk ekziston asnjë presion ndërkombëtar për vazhdimin e vendeve të rezervuara për minoritetet dhe se i vetmi presion për këtë vjen nga Qeveria.
Ndërkaq, Ramush Haradinaj nga AAK-ja thotë se duket që zgjedhje nuk do të këtë në qershor, pasi që liderët nuk kanë arritur t'i dakordojnë qëndrimet gjatë takimit të sotëm.
Erzen Vraniqi, thotë se kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, nuk është ftuar në takimin e mbajtur sot në rezidencën e Ambasadores Jacobson.
Vraniqi ritheksoi qëndrimin e subjektit të tij, se janë kundër takimeve joformale të liderëve nëpër ambasada dhe se vendimmarrja duhet të jetë brenda institucioneve të Kosovës. /Telegrafi/

















































