Zgjedhjet Lokale, sa komuna fitoi secila parti në raundin e parë?

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor 2025 kanë prodhuar një garë të ngushtë ndërmjet partive kryesore politike në vend.
Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të përballen në një numër të madh komunash në raundin e dytë të zgjedhjeve, i cili do të mbahet më 9 nëntor.
Vetëvendosje (VV) ka fituar 3 komuna pa balotazh: Kamenicë, Podujevë dhe Shtime.
Në 12 komuna të tjera shkon në balotazh: Në balotazh: Gjakovë (kundër AAK), Gjilan (kundër LDK), Fushë Kosovë (kundër LDK), Mitrovicë (kundër PDK), Kaçanik (kundër PDK), Obiliq (kundër LDK), Rahovec (kundër AAK), Pejë (kundër LDK), Prishtinë (kundër LDK), Prizren (kundër PDK), Viti (kundër LDK) dhe Vushtrri (kundër PDK).
Në 3 prej tyre prin, ndërsa në 9 komunat tjera është e dyta, duke mbetur ende me shpresë për rritje të rezultatit në raundin e dytë.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka fituar 3 komuna pa balotazh: Skenderaj, Ferizaj dhe Hani i Elezit.
Ndërkohë, në 6 komuna të tjera do të përballet në balotazh: Dragash (kundër LDK), Kaçanik (kundër LVV), Klinë (kundër AAK), Mitrovicë (kundër LVV), Prizren (kundër LVV) dhe Vushtrri (kundër LVV).
Në komunat që është në balotazh PDK prin në 4 prej tyre, ndërsa në 2 të tjera renditet e dyta.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka arritur të fitojë 2 komuna në raundin e parë: Istog dhe Lipjan.
Ndërsa në 9 komuna të tjera shkon në balotazh: Gjilan (kundër LVV), Fushë Kosovë (kundër LVV), Obiliq (kundër LVV), Pejë (kundër LVV), Prishtinë (kundër LVV), Viti (kundër LVV), Dragash (kundër PDK), Suharekë (kundër AAK) dhe Junik (kundër AAK).
Nga këto, LDK prin në 6 komuna dhe është e dyta në 3 të tjera, duke e pozicionuar veten si një nga partitë më të suksesshme në këto zgjedhje deri më tani.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar vetëm 1 komunë në raundin e parë në Deçan, por është e pranishme në 5 balotazhe: Gjakovë (kundër LVV), Rahovec (kundër LVV), Klinë (kundër PDK), Suharekë (kundër LDK) dhe Junik (kundër LDK).
Nga këto në në 4 prej tyre prinë duke dëshmuar ndikim të vazhdueshëm në nivel lokal, veçanërisht në komunat ku tradicionalisht ka pasur mbështetje, kurse në 1 prej tyre renditet e dyta.
Nisma Socialdemokrate ka arritur të ruajë kontrollin në komunën e Malishevës, ku ka fituar pa balotazh, ndërsa në komunat tjera nuk ka pasur rezultate të dukshme.
Ramiz Lladrovci ka fituar pa balotazh në Drenas, duke konfirmuar ndikimin e tij të vazhdueshëm në këtë komunë.
Lista Serbe ka fituar 9 komuna, kryesisht në veri të Kosovës, dhe në një komunë tjetër në atë të Kllokotit do të marrë pjesë në balotazh.
Balotazhi i 9 nëntorit pritet të jetë tejet i rëndësishëm, pasi mund të ndryshojë ndjeshëm hartën politike lokale. Gara më e ngushtë është në Mitrovicë, ku rezultati preliminar ka treguar një diferencë prej vetëm 28 votash mes dy kandidatëve kryesorë. Po ashtu garë e ngushtë është edhe në Prishtinë, Prizren, Pejë dhe Gjakovë.
Rezultatet përfundimtare do të konfirmohen pas përfshirjes së votave nga diaspora të cilat në disa raste mund të ndikojnë në rezultatet aktuale preliminare. /Telegrafi/

















































