LAJMI I FUNDIT:

Zezona e dimrit si simbolikë e fuqisë së shtetit

“Mik, pak bukë, krip, dru dhe gaz“ – thënia nga mbijetesa

Fenomeni i borës dhe të ftohtit që na ka kapluar gjithnjë po bëhet padashje pjesë e debateve në përditshmërinë tonë, duke na kthyer kujtesën në hulumtim të atyre dimrave, kur gjyshërit tanë nuk hezitonin së rrëfyeri me net të tëra, ndërsa ne gjithçka e kthenim atë rrëfim gati në një përrallë me çaste të pakëndshme, duke dëgjuar për peripecitë e brezave, që herë lidheshin me mungesën e bukës e herë të drurit, të cilat sot e kësaj dite janë bërë pjesa mitizuese e jetës sonë. Kthimin tek miti e bëri kjo zezonë, për të nxjerrë krahasime me shkallën e acarit, kohëzgjatjen, pasojat eventuale të natyrave të ndryshme dhe përgjigjet që ua ka dhënë sfidave shoqëria dhe institucionet.


Sidoqoftë, dimri është dimër, por kur shoqërohet me temperatura tepër të ulëta dhe reshje të shumta bore, mbetet në pushtetin faktik të njeriut – shtetit, shoqërisë që të mobilizojë të gjithë mekanizmin për ta mbajtur në normalitet qarkullimin e njerëzve, mallrave, funksionimin e institucioneve, ofrimin e shërbimeve primare për njeriun.

Nënshtrimi para borë së parë

Ende pa u mbuluar toka nga bora e bardhë, nisi një zezonë e re, ku qytetarit të lodhur të Kosovës iu shtua nga ‘vice majores’ edhe një problem i një natyre serioze, dimri i acartë, i cili varësisht nga zbritja e temperaturave, na shpien në kërkim të dimrave të kamotshëm për njëzet e pesë deri në gjashtëdhjetë vitet e fundit, duke i gjetur vetes ngushëllim se nuk është i pari, por kishte të tjerë dimra më të rëndë që rrodhën nga memoriet tona të plakura.

Të bashkëjetosh një mbrëmje diku në mesin e një familjari pak për tej qytetit, mund ta vëreni se si zhvillohet jeta në kthetrat e acarit, me mungesë rryme, me lajme që kohë pas kohe emetohen nga radio-televizionet, se Termokosi po numëron sasinë e fundit të lëndës për ngrohje, mu tash kur do të duhej ta dëshmonte ekzistencën e vetë, përkundër obligimeve që dihen se i kanë qytetarët ndaj tij, ky mot i tillë çfarë e kemi, nuk do të duhej t’i shërbente askujt për të vënë sanksione të “dyfishta”.

Mund ta dëgjoni edhe këtë, se ka komuna që për mirëmbajtjen e rrugëve ndan shuma simbolike të parave, që kompanitë që fituan tenderët nuk mund t’i mbulojnë as shpenzimet e karburanteve e lere më t’i rrinë karshi bores së madhe.

Çfarë po na flasin rrugët?

Të udhëtosh shembull nga fshati Vranidoll i komunës së Prishtinës, të duhen bërë rrugë nganjëherë më shumë se një orë, edhe pse një distancë që në kushte normale kalohet për pesëmbëdhjetë minuta.

Dikush ka filluar t’i zë në thumb të kritikës kompanitë e kontraktuara me komunat lidhur me paaftësinë e tyre organizative, teknike dhe menaxhuese me gjendjen e krijuar. Hiq rrugët magjistrale të cilat vazhdojnë të mbahen në gjendje jo sa duhet të mirë, rrugët që lidhin shumë fshatra vizitohen rrallë nga këto kompani dhe komunikimi me viset jashtë urbane me qytetin gradualisht po ecën drejt një bllokade.

Shtrohet pyetja se a e kaloi qytetari i Kosovës trekëndëshin e mbijetesës, e cila nuk shkëputet larg në mes distancës së drurit si burim i energjisë për ngrohje, gazit që na bën ta nxjerrim veten nga errësira e natës së gjatë të kësaj zezone dimërore, dhe, bukës që na mban gjallë qoftë për një ditë a javë ma shumë.

Ky dimër sfidoi qytetarin, institucionet e vendit, duke u shndërrua në një simbolikë të matjes së fuqisë dhe organizimit, kësaj radhe thënies nga mbijetesa mbet për t’iu shtuar kërkesa “Ke mëshirë, falna o Zot! Na zure të papërgatitur kësaj radhe”.