Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky theksoi rëndësinë e përfshirjes së Ukrainës në çdo bisedë apo vendim që lidhet me të ardhmen e vendit të tij.

Ai komentoi takimin e paralajmëruar midis presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut rus, Vladimir Putin duke theksuar se pa Ukrainën nuk mund të merret asnjë vendim për fatin e saj.


“Një bisedë midis Putinit dhe Trumpit mund të jetë e rëndësishme për marrëdhëniet e tyre dypalëshe. Por ata nuk do të bëjnë asgjë për Ukrainën pa ne. Besoj se Trump e kupton këtë”, deklaroi lideri ukrainas.

Zelenksy theksoi gjithashtu se është e pamundur të flitet për Ukrainën pa Ukrainën dhe se vendimet për vendin duhet të merren me pjesëmarrjen aktive të saj.

“Duhet të qëndrojmë pranë së vërtetës sonë”, tha ai, duke shtuar se janë gjëra që jetojnë në zemër dhe të tjera që janë të shkruara në Kushtetutën e vendit, duke nënkuptuar gatishmërinë e Kievit për të mbrojtur me vendosmëri pozicionet e veta.

Ndryshe, Trump dhe Putin pritet të takohen gjatë ditës së premte në Alaska. /Telegrafi/