Mes presidentit të Ukrainës dhe një prej aleatëve më të fortë të saj që nga fillimi i luftës është shfaqur një përçarje e re.

Polonia ka qenë ndër vendet e para dhe më të vendosura që ka mbështetur presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në mbrojtjen kundër pushtimit rus, por një vendim i tij për emërtimin e një njësie ushtarake ka shkaktuar reagime të ashpra nga presidenti konservator nacionalist i Polonisë.


Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, ka deklaruar se dëshiron që shteti të shqyrtojë mundësinë e heqjes së “Urdhrit të Shqiponjës së Bardhë”, nderimi më i lartë polak, për Zelenskyn. Sipas tij, arsyeja lidhet me faktin se një njësi ushtarake ukrainase është emërtuar sipas nacionalistëve që gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë kryer masakra ndaj polakëve.

Ai iu referua Organizatës së Nacionalistëve Ukrainas – UPA, e cila sipas Polonisë është përgjegjëse për masakrat në Volhynia gjatë viteve 1943–1945, ku rreth 100 mijë polakë u vranë nga nacionalistët ukrainas. Në të njëjtën periudhë, mijëra ukrainas u vranë gjithashtu në hakmarrje, shkruan skynews.

“Lavdërimi i UPA-s i ka dhënë propagandës ruse një bazë të gjerë për dezinformim”, tha Nawrocki para një takimi të këshillit këshillues të Urdhrit të Shqiponjës së Bardhë më 8 qershor.

Ai shtoi se ka propozuar që në rendin e ditës të përfshihet edhe çështja e revokimit të këtij nderimi për Zelenskyn.

Nga ana tjetër, një zëdhënës i presidencës ukrainase nuk pranoi të komentojë drejtpërdrejt deklaratat e presidentit polak. Ai tha se Ukraina mbetet mirënjohëse për mbështetjen e Polonisë dhe shpreson që pavarësia e të dy vendeve të mbetet e fortë, pavarësisht përpjekjeve të Rusisë për ta minuar atë.

Ky debat ka hapur një tension të ri diplomatik mes Varshavës dhe Kievit, në një kohë kur të dy vendet vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë në aspektin ushtarak dhe politik përballë luftës në Ukrainë. /Telegrafi/