Drita tashmë ka siguruar kualifikimin në fazën ‘play-off’ të Ligës së Konferencës, një arritje historike për futbollin kosovar.

Klubi gjilanas sot (e enjte) zhvilloi ndeshjen e fundit të fazës së ligës, duke u mposhtur me rezultat 3-0 nga Rayo Vallecano.


Me të përfunduar të gjitha ndeshjet e kësaj faze, tashmë është e ditur se me kë mund të ndeshet Drita në fazën e ‘play-off’-it.

Të besuarit e Zekirija Ramadanit përballë do ta kenë njërën prej Celje ose AZ Alkmaar.

Trajneri i Dritës në konferencën për shtyp pas ndeshjes, ka thënë se do të pëlqente që të përballej me Celjen e Sllovenisë, duke preferuar që ta evitonin AZ Alkmaar.

"AZ Alkmaar e njohim, preferoj Celjen si kundërshtar në play-off", ka thënë ai.

Kjo deklaratë e Ramadanit është e kuptueshme duke marrë parasysh se këto dy skuadra u ndeshën në fazën e ligës, me holandezët që fituan në Prishtinë me rezultat 3-0.

Kujtojmë se shorti për fazën ‘play-off’ të Ligës së Konferencës do të hidhet më 31 janar, teksa ndeshjet do të luhen më datat 19 dhe 26 shkurt./Telegrafi/

telegrafi sport app