Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, ka reaguar lidhur me festën e Vidovdanit që mbahet çdo vit në Kosovë nga komuniteti serb, si dhe vendimin gjyqësor që ndalon përdorimin e flamurit serb gjatë kësaj ngjarjeje.

Zeka e ka vlerësuar si të drejtë këtë vendim, duke theksuar se Vidovdani nuk është festë zyrtare në Kosovë dhe, sipas tij, institucionet duhet të mbajnë qëndrime të qarta për ngjarje të tilla.


“Moslejimi i flamujve e të tjera, mirë është që është marrë qëndrim”, ka deklaruar ai. Sipas tij, vendimi më i mirë do të ishte që kjo ngjarje të mos mbahej fare. “Sepse ato [festat] që s’janë në kalendar, realisht edhe nuk ka ndonjë obligim, as për shtetin e Kosovës, as për përkujdesje, as për gjëra të tjera”, ka shtuar ai në RTVDukagjini.

Në këtë kontekst, Zeka ka theksuar se raportet mes Kosovës dhe Serbisë kërkojnë qasje të reja nga institucionet vendore, për të gjetur modele të përshtatshme në trajtimin e temave të ndjeshme.

“Do të duhej që t’i jepej fund kësaj feste që po e mbajnë për Betejën e Kosovës. Është një festë që më së pari nuk u takon serbëve, nuk u takon atyre. Është në territorin e Kosovës dhe ajo betejë ka ndodhur në territorin e Kosovës. Nuk kemi kurrfarë obligimi ne si shtet që të përkujdesemi ose për mbarëvajtjen e tyre”, ka përfunduar Zeka.