Fondi Publik i Investimeve të Arabisë Saudite jo vetëm që nuk ka bërë investime të reja te Al Nassr dhe klubet e tjera rivale, por tashmë ka edhe raportime për vonesa në pagesën e pagave.

Në këto rrethana, bojkoti i Cristiano Ronaldos ndaj ndeshjeve të Al Nassr mund të vazhdojë. Kapiteni i Portugalisë thuhet se është i vetëdijshëm se nuk ka pasur asnjë ndryshim në qasjen e fondit saudit, deri në atë pikë sa, pas mungesës së investimeve në treg – sidomos në krahasim me rivalët si Al Hilal – tani kanë dalë në pah edhe vonesa të konsiderueshme në pagesën e pagave të lojtarëve.


Sipas “A BOLA”, Cristiano Ronaldo do të presë që situata të zgjidhet përpara se të rikthehet në garë. Nëse problemi zgjidhet me kohë, ai mund të jetë i gatshëm për Jorge Jesus që këtë të premte, pikërisht në ndeshjen kundër Al Ittihadit, skuadër e drejtuar nga Sergio Conceiçao.

Në të kundërtën, nëse pagat nuk shlyhen, portugezi pritet të vazhdojë bojkotin, duke thelluar edhe më shumë krizën te Al Nassr.

Një pjesë e madhe e punëtorëve te skuadra e Al Nassr thuhet se nuk janë paguar për një periudhë, gjë që ka zemëruar edhe më shumë pesë herë fituesin e Topit të Artë.

Ndërkohë, Nassr mbetet në garë për titull – duke u renditur në pozitën e dytë me 46 pikë, një më pak se lideri Al Hilal./Telegrafi
telegrafi sport app