Një biografi e re për Freddie Mercury pretendon se vokalisti legjendar i Queen kishte një vajzë të fshehtë, me të cilën ruajti një marrëdhënie të ngushtë deri në vdekjen e tij në vitin 1991.

Libri “Dashuri, Freddie” i autores Lesley-Ann Jones zbulon se Mercury ngjizi aksidentalisht vajzën në vitin 1976 gjatë një afere me gruan e një miku të ngushtë. Vajza, e identifikuar vetëm si B, është sot 48 vjeçe dhe punon si profesioniste mjekësore në Evropë.


Sipas librit, Mercury e vizitonte rregullisht vajzën dhe i dorëzoi asaj 17 fletore me ditarë personalë, që ajo i ka mbajtur sekret për dekada. B ka ndarë përmbajtjen e tyre me autoren pas më shumë se 30 vjetësh heshtjeje, shkruan The Guradian.

Në një letër të shkruar me dorë, e përfshirë në libër, B shkruan: “Freddie Mercury ishte dhe është babai im. Ne patëm një marrëdhënie shumë të ngushtë dhe të dashur gjatë gjithë 15 viteve të fundit të jetës së tij. Ai më adhuronte dhe ishte i përkushtuar ndaj meje. Më çmoi si një pasuri të çmuar”.

Ajo shton se rrethanat e lindjes së saj mund të duken “të pazakonta dhe të çuditshme”, por që kjo nuk ndikoi në dashurinë e Mercury-t ndaj saj.

Mercury filloi të mbante ditarë më 20 qershor 1976, pak pasi mësoi për shtatzëninë, dhe dy ditë pas publikimit të këngës “You’re My Best Friend”. Në fletoret e tij, ai përshkruan jetën në Zanzibar, shkollimin në Indi dhe shpërnguljen e familjes në Middlesex pas revolucionit të vitit 1964.

Shënimi i tij i fundit është datuar 31 korrik 1991, disa muaj para se të ndërronte jetë në moshën 45-vjeçare, si pasojë e pneumonisë bronkiale të shkaktuar nga AIDS.

Në një tjetër letër përfshirë në libër, B shpjegon: “Pas më shumë se tre dekadash gënjeshtrash dhe spekulimesh, është koha t’i japim mundësi Freddie-t të flasë. Në asnjë moment nuk jam detyruar ta bëj këtë. Ai ma besoi koleksionin e tij të fletoreve si fëmijës së tij të vetëm”.

Autorja Lesley-Ann Jones thotë se B e kontaktoi për herë të parë tre vjet më parë dhe pas bashkëpunimit të gjatë, ajo është e bindur për vërtetësinë e saj: “Askush nuk mund ta kishte falsifikuar këtë. Ajo nuk më kërkoi kurrë asgjë".

Ekzistenca e vajzës është mbajtur sekret nga rrethi i ngushtë i Mercury-t për dekada me qëllim respektimin e dëshirave të tij. /Telegrafi/