Zbulimet e rralla të insekteve ujore në Kosovë, paraqiten në pulla postare

Me rastin e Ditës Botërore të Lumenjve, Posta e Kosovës ka promovuar emisionin e ri të pullave postare “Fauna endemike”, përmes së cilit shënohet një arritje e veçantë në fushën e shkencave natyrore dhe ruajtjes së biodiversitetit në territorin e Kosovës.
Emisioni filatelik paraqet katër lloje të reja të insekteve ujore endemike të zbuluara së fundi në Kosovë nga një ekip i përkushtuar studiuesish të entomologjisë.
Këto zbulime, të cilat janë rezultat i hulumtimeve të thelluara në terren dhe analizave laboratorike, theksojnë rëndësinë e ruajtjes së ekosistemeve të brishta ujore dhe ndikimin e tyre në mjedisin e përgjithshëm.
Pullat postare përfshijnë katër specie të identifikuara:

Rhyacophila siparantum – zbuluar në vitin 2021 në fshatin Bogë të Pejës, ka rol në pastrimin natyral të ujërave dhe është i rrezikuar nga zhvillimet infrastrukturore.

Tinodes Lumëbardhi – i gjetur në një degë të Lumëbardhit të Deçanit në vitin 2025, i kërcënuar nga ndotja e lartë e ujërave.

Drusus Dardanicus – i zbuluar në Bollosicë të Podujevës në vitin 2015, me praninë e tij në degë të ndryshme të lumit Llap; ndihmon në ruajtjen e pastërtisë së burimeve ujore.

Potamophylax kosovaensis – i zbuluar në zonën e Bajgorës në vitin 2025, përfaqëson simbolikisht pasurinë natyrore të Kosovës.
Posta e Kosovës thekson se përmes këtij emisioni të ri filatelik synon të rrisë ndërgjegjësimin për mbrojtjen e faunës dhe biodiversitetit të rrallë të vendit, si dhe të promovojë Kosovën në skenën ndërkombëtare përmes pullave postare.
“Ftojmë koleksionistët, institucionet, bizneset dhe qytetarët që ta pasurojnë koleksionin e tyre me këtë emision të veçantë, i cili përveç vlerës filatelike, bart edhe mesazhin e ruajtjes së natyrës,” thuhet në njoftimin e Postës së Kosovës. /Telegrafi/



















































