Një metodë e re e zhvilluar nga shkencëtarët mund të hapë rrugë për krijimin e trajtimeve të reja kundër disa sëmundjeve të rënda, përfshirë forma të caktuara të kancerit që deri më tani kanë qenë të vështira për t’u trajtuar.

Në qendër të studimit janë të ashtuquajturit “ngjitës molekularë” - molekula që mund të lidhin proteina të caktuara me sistemin natyror të qelizës përgjegjës për eliminimin e proteinave të panevojshme ose të dëmtuara.


Në një studim të publikuar në revistën Science, studiuesit arritën të përdorin këtë mekanizëm për të shkatërruar proteinën KAT2A, e cila luan rol në zhvillimin e disa llojeve të kancerit. Në testet laboratorike, metoda pengoi shumimin e qelizave të leukemisë mieloide akute.

Efektet u vunë re edhe në eksperimente me minj, ku studiuesit përdorën tumore të krijuara nga qeliza të marra nga pacientë. Rezultatet treguan se eliminimi i proteinës së synuar mund të ndikojë në mbijetesën dhe përhapjen e qelizave kancerogjene.

Rëndësia e zbulimit shkon përtej një lloji të vetëm të kancerit. Shkencëtarët besojnë se kjo teknologji mund të bëjë të mundur synimin e proteinave që deri tani kanë qenë jashtë mundësive të barnave tradicionale.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se bëhet fjalë ende për një fazë eksperimentale. Molekula nuk është testuar te njerëzit dhe para përdorimit si terapi do të nevojiten studime të tjera për sigurinë, efektet anësore dhe dozimin, si dhe prova klinike.

Pavarësisht këtyre kufizimeve, zbulimi konsiderohet një hap i rëndësishëm në zhvillimin e një klase të re barnash, të cilat mund të përdorin mekanizmat natyrorë të qelizave për të eliminuar proteinat që shkaktojnë sëmundje. /Telegrafi/