Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar me tri vite burgim deputeten e Vetëvendosjes, Jetmire Vrenezin, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, Vernezi sa ishte inspektore e ndërtimit në Komunën e Prizrenit, së bashku me Islam Thaqin, ish-drejtor i Inspektoratit, kanë rrënuar aneks-objektin e ‘Abi Çarshia’, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Ylli Zeka nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili ka monitoruar raste të profileve të larta thotë se për 13 vite asnjë zyrtarë i profileve të larta politike nuk ka vuajtur dënim efektiv për shkelje të ligjit.

“Në këtë periudhë gati 13-vjeçare që nga shpallja e pavarësisë, kemi pasur 298 aktakuza ndaj pjesëtarëve të subjekteve politike, qoftë këta kandidatë, deputetë, ministra. Dorëheqja në këto raste kanë qenë shumë të rralla dhe të njëjtë kanë vazhduar detyrën e tyre me aktakuza. Pra vetëm tetë persona kanë dhënë dorëheqje nga pozitat publike për shkak se ndaj tyre janë ngritur aktakuza”, tha Zeka në “Debat Plus” të RTV Dukagjinit.

Sipas Zekës edhe deputetja e LVV-së, Jetmire Vrenezi është njëra nga to që pavarësisht se ka vendim gjykate, ajo vazhdon detyrën.

“Kuptohet ajo është e pafajshme deri sa të merret vendimi i shkallës së dytë”.

Dënimi me tre vite burgim për deputeten e LVV-së - në cilat raste humb mandati sipas rregullores së Kuvendit Dënimi me tre vite burgim për deputeten e LVV-së - në cilat raste humb mandati sipas rregullores së Kuvendit

Përfaqësuesi i IKD-së thotë se nga këto 298 aktakuza 55 prej tyre kanë qenë të profilit të lartë siç është edhe deputetja Jetmire Vrenezi.

“Mirëpo asnjëri prej këtyre profileve nuk e kanë mbajtur asnjë ditë burg efektiv. Nuk kam shpresa edhe me rastin e deputetes Vrenezi se do të vërtetohet dënimi edhe nga Apeli pasi kemi pasur dështim në hetime, ose nëse ka pasur aktakuzë të dobët që është rrëzuar qysh në shkallën e parë të gjyqësorit. Nëse ka kaluar edhe shkallën e parë ajo gjithqysh është rrëzuar në Apel”, deklaroi tutje Zeka./Telegrafi/