Dua Lipa, ylli me famë botërore, dhuroi një spektakël të jashtëzakonshëm para mijëra të pranishmëve në natën e parë të Sunny Hill Festival në Prishtinë, duke hapur edicionin e sivjetshëm me gjithë madhështinë që e karakterizon si një artiste e kompletuar dhe ndër më të suksesshmet në skenën ndërkombëtare.

Ashtu siç pritej, ajo e nisi performancën me këngën "Training Season", ndërsa e përmbylli me stil me hitin "Houdini".


Dua solli një kombinim magjepsës të këngëve nga albumi i saj i fundit Radical Optimism dhe nga suksesi i mëhershëm Future Nostalgia, duke sjellë në Kosovë energjinë e një turneu botëror që sapo ka përfunduar në Evropë dhe do të vazhdojë në shtator në Shtetet e Bashkuara.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Në qendër të vëmendjes nuk munguan as veshjet e saj ikonike, të cilat tashmë janë pjesë e imazhit të saj të turneut. Publiku u befasua veçanërisht nga një moment emocional: Dua interpretoi së bashku me babanë e saj, Dukagjin Lipa, këngën ikonike “Era”, një klasik i muzikës shqiptare. Para se ta ftonte në skenë, ajo tha:

“Ai ka qenë gjithmonë inspirimi im”.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Dua dhe Dukagjini janë gjithashtu bashkëthemelues të Sunny Hill Festival, një iniciativë që synon të sjellë artistë të njohur ndërkombëtarë në Kosovë dhe ta vendosë Prishtinën në hartën e ngjarjeve të mëdha muzikore.

“Është kënaqësi me pas mundësinë me kriju një festival me familjen time për vendin tonë,” u shpreh ajo në shqip gjatë performancës, duke falënderuar gjithashtu organizatorët që kanë bërë të mundur këtë ngjarje tashmë të përvitshme.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Atmosfera ishte elektrizuese. Publiku këndonte njëzëri çdo këngë, ndërsa koreografitë e menduara me kujdes dhe skenografia ikonike që ka shoqëruar turneun Radical Optimism u sollën në Prishtinë – duke e bërë qytetin epiqendrën e një magjie që jemi mësuar t’i shohim dikur vetëm në skenat më të mëdha në Evropë, Amerikë e kudo në botë.

Energjia që shpërndau Dua Lipa me zërin, lëvizjet dhe praninë e saj skenike bëri që çdo spektator të përfshihej emocionalisht. Ishte një natë që shumëkush nuk do ta harrojë lehtë – një performancë që jo vetëm përmbushi pritshmëritë, por i tejkaloi ato.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Sunny Hill Festival këtë vit bashkoi emra të mëdhenj si Shawn Mendes, Fatboy Slim, Anyma, dhe Mochakk, duke e konfirmuar statusin e tij si festivali më prestigjioz në rajon.

Vizita e Dua Lipës në Kosovë këtë herë ishte edhe më e veçantë, jo vetëm sepse hapi festivalin si artistja kryesore e mbrëmjes, por edhe sepse mori shtetësinë kosovare.

Shtetësia iu dha me dekret presidencial gjatë një ceremonie pritëse nga presidentja Vjosa Osmani. Nuk kaloi shumë dhe mediat prestigjioze si BBC dhe The Guardian nisën të raportojnë mbi këtë ngjarje, duke i dedikuar artikuj jo vetëm Dua Lipës, por edhe vizitës së saj në Kosovë. /Telegrafi/