Ylli i Sllovakisë tregon se çfarë i tha Oblaku për Kosovën para përballjes së të enjtes

Mbrojtësi sllovak David Hancko, u shpall të hënën futbollisti më i mirë i Sllovakisë për vitin 2025, duke konfirmuar formën e tij të shkëlqyer dhe rëndësinë në kombëtare.
28-vjeçari, i cili luan për Atletico Madridin prej verës së kaluar, ka një karrierë të spikatur edhe te Feyenoord, dhe tashmë numëron 57 paraqitje dhe shtatë gola për Sllovakinë.
Megjithatë, Hancko e konsideron më të rëndësishëm suksesin e ekipit se sa çmimet personale. Ai ka pranuar se do ta ndërronte këtë trofe për një vend në Kupën e Botës:
“E çmoj shumë trofeun, por do ta ndërroja atë me vend të Sllovakisë në Kupën e Botës”, ka thënë fillimisht Hancko.

Për të arritur te Kupa e Botës, Sllovakia duhet fillimisht të mposhtë Kosovën në sfidën vendimtare të enjten në Bratisllavë. Hancko ka shprehur respekt për kundërshtarin dhe ka folur për analizën e bërë me bashkëlojtarin e tij te Atletico, portierin e njohur slloven Jan Oblak.
“Përzgjedhësi Francesco Calzona na kujton që Kosova ka skuadër më të vlefshme se ne, në kuptimin e vlerës në treg. Kosova ishte në grup me Zvicrën, Slloveninë dhe Suedinë, kurse përfundoi e dyta”.
“Kemi folur shumë për këtë me bashkëlojtarin tim në klub, sllovenin Jan Oblak. Përfundimisht nuk do të jetë kundërshtar i lehtë dhe kemi ndeshje të vështirë përpara”, vazhdoi ai.
Hancko ka treguar gjithashtu se nuk e favorizon formatin me një ndeshje finale, ku çdo detaj mund të vendosë rezultatin.
“Tashmë kam përvojë nga ‘finalet’ që vendosen në një ndeshje. Nuk janë gjithnjë më të bukurat, shpesh gjëra të vogla vendosin. Kemi disa stërvitje vendimtare para ndeshjes me Kosovën”.
“Besoj se do të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme dhe me ndihmën e tifozëve tanë të shkëlqyer, do t’ia dalim”, përfundoi 28-vjeçari./Telegrafi/





















































