Aktorja angleze Michelle Dockery (43 vjeçe) dhe ylli i serialit "Downton Abbey" është në pritje të fëmijës së saj të parë.

Ajo e ndau lajmin e lumtur duke u shfaqur me barkun shtatzënë në tapetin e kuq të premierës botërore të filmit "Downton Abbey: The Grand Finale", që u mbajt në Londër.


Filmi është planifikuar të dalë premierë më 12 shtator 2025 në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë, dhe aktorja mbante veshur një fustan elegant pa rripa ngjyrë blu të çelët, në të cilin nxirrte në pah barkun e saj shtatzënë.

Dockery mbërriti në event e shoqëruar nga bashkëshorti i saj Jasper Waller-Bridge, vëllai i aktores dhe skenaristes së famshme Phoebe Waller-Bridge. Çifti u martua në shtator 2023 në një ceremoni private në Londër, ku morën pjesë një numër i bashkë-yjeve, përfshirë Lily James, Joanne Froggatt, Elizabeth McGovern, Hugh Bonneville dhe Lesley Nicol.

Historia e dashurisë së Michelle me Jasperin filloi në vitin 2019, pasi ata u takuan nëpërmjet miqve të përbashkët në Festivalin e Filmit në Romë. Ata njoftuan fejesën e tyre në janar 2022.

Përpara Jasperit, Michelle ishte e fejuar me publicistin irlandez John Dineen, i cili vdiq tragjikisht në vitin 2015 nga një formë e rrallë kanceri, vetëm 15 muaj pasi iu diagnostikua sëmundja. Ata kishin plane të martoheshin, por fati e pengoi këtë. Në një intervistë të vitit 2017, aktorja zbuloi se ende e konsideron veten të ve: "Ne ishim të fejuar dhe të martuar në zemrat tona. Kështu që e konsideroj veten të ve", i tha ajo The Guardian në atë kohë.

Pas një tragjedie të rëndë në jetë, sot Michelle po hyn në një fazë të re të jetës - të gëzueshme dhe të përmbushur, me familjen që po ndërton me Jasperin. /Telegrafi/