LAJMI I FUNDIT:

Tahiri flet pas incidentit në Juridik – s’bëhet fjalë për dhunë, studentja që kopjoi u përpoq të largohej bashkë me testin e vjedhur

Tahiri flet pas incidentit në Juridik – s’bëhet fjalë për dhunë, studentja që kopjoi u përpoq të largohej bashkë me testin e vjedhur

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë që është edhe profesor në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin Juridik, Xhafer Tahiri, ka folur pas incidentit me një studente të ndodhur në një prej hollëve të objektit të Juridikut.

Në një shkrim në rrjetin social Facebook, Tahiri ka thënë se pamjet e sotshme të cilat u shfaqen në disa media pasqyrojnë një të vërtetë të hidhur të arsimit.


Ai ka thënë se zhvillimi i hovshëm i teknologjisë fatkeqësisht po keqpërdoret në masë të madhe nga ata që qëllim nuk e kanë dijen, por kopjimin.

“Sot u bëmë dëshmitarë të pamjeve që nuk i bëjnë nderë askujt dhe më së paku brezit të ri për arsimimin e të cilëve mbetem i përkushtuar jo veç unë, por i gjithë stafi akademik në Universitetin e Prishtinës. Pamjet e sotshme të cilat u shfaqen në disa media pasqyronin një të vërtetë të hidhur. Kësaj radhe ky fenomen i shëmtuar u pasqyrua edhe në media derisa unë bashkë me dy kolege, profesoresha të respektuara në Juridik, mundohesha ta mbroj pronën intelektuale që ka një profesor: testin që verifikon dijen e një studenti”, tha ai.

Lidhur me incidentin, Tahiri ka shpjeguar se studentja kishte kopjuar testin dhe sipas tij refuzoi të identifikohet dhe është përpjekur të largohej bashkë me testin e vjedhur pandershëm.

Xhafer Tahiri tenton me forcë ta fusë një studente në provim
Lexo po ashtu Xhafer Tahiri tenton me forcë ta fusë një studente në provim

“Nuk bëhet fjalë për dhunë. Unë sinqerisht kërkojë ndjesë për të gjithë ju që patet rastit t’i ndiqni këto pamje që nuk ishin tjetër pos përpjekje për të mbrojtur pronësinë intelektuale dhe identifikimin e studentes, e cila këtë situatë e shfrytëzoi për të mbrojtur veprimin e saj duke e shtrembëruar të vërtetën, pavarësisht se në sallë kishte plot dëshmitar”, shtoi tutje.

Tahiri thekson se që një kohë ka pezulluar punën në Universitet për shkak të angazhimeve në Komunë, e thotë se sot edhe pse fundjavë ka shkuar për të ndihmuar koleget.

“Me shpresën se do të reflektojmë të gjithë veçanërisht kur bëhet fjalë për sferën më të rëndësishme – arsimin, ju kërkojë mirëkuptim të gjithëve për një situatë me të cilën, fatkeqësisht, mund të ballafaqohet secili profesor në Universitin e Prishtinës”, shkroi Tahiri.

Derisa studentja në fjalë jep version tjetër për rastin.

Siç i ka thënë Klan Kosovës, nuk ka dashur të futet në provim dhe se Tahiri ka provuar që ta bëjë të kundërtën.

Në videon e publikuar Tahiri shihet teksa një moment e kap studenten për krahu.

Ndërkaq, Tahiri ka publikuar edhe fotografi nga një grup i krijuar nga studentët, të cilët shihen duke dhënë përgjigje për testet e provimeve./Telegrafi/