Xabi Alonso ka marrëveshje me Liverpoolin, i kërkon katër lojtarë

Xabi Alonso nuk do të qëndrojë pa stërvitje për shumë kohë. Sipas mediave britanike, trajneri spanjoll, i cili e përfundoi së fundmi aventurën e tij të shkurtër te Real Madrid pas vetëm gjysmë sezoni, mund të rikthehet në Ligën Premier , këtë herë si trajner.
Episodi i tij te Klubi Mbretëror u karakterizua nga një seri rezultatesh të dobëta dhe, sipas spekulimeve, mosmarrëveshje me disa lojtarë, gjë që çoi presidentin Florentino Perez të ndërpriste bashkëpunimin. Përkohësisht, roli i tij u mor nga Alvaro Arbeloa.
Megjithatë, pushimi i tij duket se nuk do të zgjasë shumë. Liverpooli, klubi ku Alonso la gjurmë të thella si lojtar – me 210 paraqitje dhe pjesëmarrje në ekipin legjendar që fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2005 – po e konsideron seriozisht si kandidat për të zëvendësuar trajnerin aktual Arne Slot, teksa presioni mbi të rritet për shkak të rezultateve të paqëndrueshme.

Alonso thuhet se ka një vizion të qartë për rindërtimin e ekipit të Reds dhe vendos si kusht kryesor lirinë e plotë në vendimmarrje në merkato, si dhe investime të konsiderueshme deri në 460 milionë euro për përforcime.
Micky van de Ven, Adam Wharton, Bradley Barcola dhe Michael Olise janë emra të përmendur si pjesë e listës së tij të dëshirave, duke mbuluar të gjitha linjat dhe duke sjellë freski në një ekip që ka ngecur kohët e fundit.
Nëse gjithçka shkon sipas planeve, Liverpooli mund të bëhet sfondi i ri i karrierës së trajnerit spanjoll, duke i dhënë Alonsos mundësinë të rikthejë klasin e mëparshëm në Anfield. /Telegrafi/






















































