Kjo është historia e mënyrës se si u krijua albumi Wish You Were Here ...

Nga: Neil McCormick / The Telegraph (titulli: Wish You Were Here almost ruined Pink Floyd. Yet it remains their masterpiece)
Përkthimi: Telegrafi.com


Më 12 shtator 1975, Pink Floyd publikoi albumin Wish You Were Here. Pas suksesit madhështor të albumit The Dark Side of the Moon të vitit 1973, kuarteti i rokut progresiv ishte në kulmin e krijimtarisë.

Gjithçka rreth Wish You Were Here dukej sikur kishte ardhur në formën e vet të përkryer. Paketimi misterioz nga Hipgnosis hapej për të zbuluar një album me vetëm pesë këngë, me kohëzgjatje 44 minuta. Fillon dhe përfundon me pjesë të ndryshme të të njëjtës këngë epike, të zhvendosur në kohë, duke krijuar një udhëtim të jashtëzakonshëm përmes tingujve, ideve dhe emocioneve. Aranzhimet janë të pasura dhe të ndërlikuara, të mbështetura nga ndërveprimi mes tastierave të thella dhe shpirtërore të Rick Wrightit, interpretimit të shkëlqyer në kitarë nga David Gilmour, mbi një bazë me tupana kreativë të Nick Masonit dhe bas ritmik të Roger Watersit.

Tekstet zhyten thellë në tema të mungesës, shkëputjes, humbjes dhe nevojës; vokalet dhe harmonitë e udhëhequra nga Gilmouri dhe Watersi janë të mbushura me mall dhe dhimbje. Ishte një përvojë mahnitëse dhe prekëse kur doli në vitin 1975 dhe ka të njëjtin efekt tek unë edhe sot.

Lexo po ashtu përkthimet në shqip të këngëve të albumit:
- Shndrit, ti diamant i krisur
- Mirë se erdhe në makinë
- Dheze nji puro
- Do të doja të ishe këtu

Për shumë adhurues të grupit Pink Floyd, kjo mbetet vepra e tyre përfundimtare - një kryevepër ambicioze nga një grup në kulmin e fuqisë së vet krijuese. Albumi kryesoi top-listat në mbarë botën dhe shiti mbi 23 milionë kopje (deri në 33 milionë njësi, duke përfshirë shkarkimet dhe transmetimet digjitale).


Pesëdhjetë vjet më vonë, një paketim i ri Wish You Were Here po publikohet, mbushur me demo të papërpunuara, versione alternative, këngë të refuzuara, performanca në koncerte dhe remikse. Pesë këngët origjinale janë zgjeruar në 30, duke ekspozuar pjesën e mbuluar të rrëmujshme dhe funksionimin e brendshëm të ngatërruar. Këtu unë flas për historinë e mënyrës se si - kundër të gjitha parashikimeve - secila këngë u krijua.

“Torturë, torturë, torturë” për të incizuar

E vërteta është se Wish You Were Here ishte një makth për t’u incizuar. “Ishte torturë, torturë, torturë”, sipas Watersit, i cili njihet për atë se - kur përshkruan atmosferën në studio - ndonjëherë i referohet albumit si Do të doja të mos ishe këtu [Wish You Weren’t Here].

Floyd bënë turne me Dark Side nga viti 1972 deri në 1974. Në të njëjtën kohë, ata nisën sesionet për një vazhdim të albumit të tyre më të suksesshëm. “Kishte ndodhur gjithçka që dëshiroje kur fillon me një grup”, ka theksuar Watersi. “Gjithçka ishte bërë realitet”. Megjithatë, në vend që t’i mbushte me vetëbesim, një gjendje e çuditshme apatie i kishte kapluar.

Roger Waters në vitin 1975Foto: Richard E Aaron/Redferns

Sesionet e hershme në studion “Abbey Road” në dhjetor të vitit 1973, i gjetën ata duke u përpjekur të bënin muzikë eksperimentale me shirita gome, sharra, shirita ngjitës dhe kova me ujë. Gilmouri ka pranuar se ndihej “i bllokuar në aspektin kreativ”, ndërsa Watersi ka thënë se ata “ishin që të gjithë krejtësisht të rraskapitur - për një arsye apo një tjetër”. Grupi u shpërnda për gjashtë muaj; kur u ribashkuan, në një studio provash pa dritare në lagjen “King’s Cross” të Londrës, vetëm një pjesë e quajtur Wine Glasses [Gotat e verës] kishte mbijetuar nga sesionet e mëparshme - tingulli i krijuar nga gishtat mbi gota u shndërrua në hapje të një vepre të re madhështore me nëntë pjesë, Shine On You Crazy Diamond [Shndrit, ti diamant i krisur].

“Çdo anëtar i grupit e kishte konsideruar largimin”

Dy këngë të tjera të reja morën formë, ajo e zymta pulsuese Raving and Drooling (që do të shndërrohej në Sheep / Delmet në albumin Animals të vitit 1977) dhe në mënyrë dëshpëruese You’ve Gotta Be Crazy (që do të bëhej Dogs / Qentë).

Këngët e reja u interpretuan gjatë një turneu të vështirë dimëror në Britani, gjë që nuk e përmirësoi gjendjen e tyre shpirtërore. Mason ka pohuar se në fund të vitit 1974, “çdo anëtar i grupit i ishte drejtuar individualisht menaxhmentit dhe kishte thënë se po mendonte të largohej. Në atë kohë, askush nga ne nuk e kishte asnjë ide se edhe të tjerët po ndiheshin njësoj”.

Kur sesionet rifilluan në “Abbey Road” në janar 1975, duhej të ishin të përgatitur mirë, me material të mjaftueshëm për një album - ndonëse do të kishte qenë një album shumë më ndryshe. Por, mbeti atmosfera e apatisë. Ditët e tëra i kalonin pa incizuar asgjë. “Nuk mendoj se ata e dinin se çfarë donin të bënin”, kujton inxhinieri i zërit, Brian Humphries. “Kishim një tabelë loje me shigjeta dhe një pushkë ajri dhe luanim lojëra me fjalë, rrinin, pinim, shkonim në shtëpi dhe ktheheshim ditën tjetër”.

Në “Abbey Road”, më 1975Foto: JD Mahn/Sony Music Entertainment

Një version i plotë i Shine On rezultoi i papërdorshëm për shkak të problemeve me një pajisje të re miksimi të avancuar - “Neve”. “Askush nuk dinte si ta përdorte atë makinë të poshtër”, pranoi Humphries. Javët, dhe më pas muajt, kaluan pa arritur ndonjë gjë. “Po bëheshim jashtëzakonisht të acaruar me njëri-tjetrin”, tha Mason. “Zemëroheshim tmerrësisht për njerëzit që vonoheshin. Nuk është se do të ndodhte ndonjë gjë, por shndërrohej në një fyerje personale”.

E dimë nga shpërbërja e mëvonshme se Pink Floyd nuk kanë qenë kurrë një grup vëllazëror i harmonizuar, dhe teksa po përshtateshin me statusin e ri, vijat e ndarjes po bëheshin gjithnjë e më të dukshme. “Rogeri po i kalonte kufijtë”, sipas Masonit, dhe “nisi të mendonte se mund ta bënte gjithçka vetë”.

Një grindje mes këngëtarëve për Dheze një puro

Në një moment, albumi do të kishte përfshirë Shine On You Crazy Diamond në anën e parë, me Raving and Drooling dhe You’ve Gotta Be Crazy në anën e dytë. Po të kishte ndodhur kjo, dyshoj që do të flisnim sot për të si një vepër klasike. U mor një vendim i vonuar (fillimisht kundër dëshirës së Gilmourit) për ta ndarë Shine On dhe për të hequr këngët e tjera.

Watersi krijoi dy këngë të reja që shprehën nocione të ngjashme zhgënjimi me botën, por që ishin dukshëm më të shkurtra dhe më goditëse. Demoja e tij për Welcome to the Machine [Mirë se erdhe në makinë] u krijua me një sintetizator VSC3 në një jehonë [delay] ritmike që ia dha asaj një intensitet të errët.

Kënga e dytë ishte një kritikë thumbuese ndaj industrisë muzikore, e quajtur Have a Cigar [Dheze nji puro]. Vokalet dolën problematike, sepse Gilmouri tha se nuk i përshtatej “tonalitetit” të zërit të tij, ndërsa “një ose dy persona ishin të pasjellshëm ndaj versionit [të Watersit]”.

Këngëtari dhe kantautori Roy Harper ishte duke e incizuar albumin e tij HQ në një tjetër studio në “Abbey Road” dhe ka qenë dëshmitar i sesioneve torturuese që zhvilloheshin. “Rogeri mund të shkruajë një këngë, por s’do të jetë kurrë në 100-shen më të mirë si këngëtar roku ...”, tha më vonë Harper në një intervistë. “Sidoqoftë, asnjëri prej tyre nuk mund ta arrinte atë notë. Unë thjesht qëndrova pas, i mbështetur te një pajisje dhe qeshja. Thashë: ‘Do ta këndoj unë për ju’”.

Më në fund, grupi e lejoi ta provonte dhe Harperi e realizoi që në përpjekjen e parë. Watersi nuk ka qenë kurrë dakord, duke sugjeruar: “Po ta kisha kënduar unë, do të ishte më e ndjeshme dhe më pak cinike”.

Frymëzim nga një shkurorëzim

Gjatë gjashtë muajve të incizimeve, Pink Floyd gjithashtu zhvilloi një turne në ShBA dhe ishin kryefjala e Festivalit “Knebworth” më 5 korrik (ku Harper këndoi Have a Cigar). Kënga e fundit që u përfundua e që do të bëhej kënga titullare ishte Wish You Were Here [Do të doja të ishe këtu]. Sipas Watersit, është e vetmja këngë e grupit ku tekstet janë shkruar veçmas nga muzika.

Gilmouri e kishte blerë një kitarë të re me 12 tela dhe luante një pjesë. Watersi u ndje i frymëzuar për të shkruar një tekst dhe shkoi në një dhomë tjetër, ku hodhi një “rrjedhë mendimesh” brenda më pak se një ore. Ai ia dorëzoi tekstin Gilmourit, i cili e kompozoi melodinë.

David GilmourFoto: Richard E Aaron/Redferns

Vargu për “shpirtra të humbur që notojnë në akuarium peshqish, vit pas viti” mund t’i referohej marrëdhënies gjithnjë e më të distancuar mes anëtarëve të grupit. Megjithatë, Watersi e ka përshkruar si “një këngë dashurie” - frymëzuar nga ndarja e tij me dashurinë e fëmijërisë, Judith Trim (u shkurorëzuan në vitin 1975).

Virtuozi i violinës, Stéphane Grappelli, u bind të improvizonte për një solo e cila në fund u la jashtë versionit përfundimtar. Miksimi i albumit përfundoi më 28 korrik 1975 - por, jo përpara një vizite të çuditshme që ka hyrë në historinë e muzikës.

Rishfaqja misterioze e Syd Barrettit

Shine On You Crazy Diamond u krijua nga të katër anëtarët, si shënim dhe vajtim për një mik, mungesa e të cilit qëndron në zemër të historisë së grupit Pink Floyd. Vokalisti, kitaristi dhe autori origjinal i këngëve të grupit, Syd Barrett, kishte pësuar probleme shkatërrimtare të shëndetit mendor dhe u largua nga grupi në vitin 1968, duke u zëvendësuar nga Gilmouri. Megjithëse disa anëtarë morën pjesë në dy solo-albumet e çuditshme të Barrettit në vitin 1970, asnjëri prej tyre nuk e kishte parë për vite me radhë. Por, më 7 qershor 1975, ndërsa po miksonin këngën Shine On, vunë re një burrë me mbipeshë dhe kokë të rruar, ulur në fund të studios, duke mbajtur një qese plastike. Fillimisht, askush nuk e njohu dhe të gjithë menduan se ishte pjesë e stafit teknik. Por, pastaj e vërteta nisi të zbulohej.

Lexo po ashtu:
- Pink Floyd të dashur
- "Pink Floyd at Pompeii - MCMLXXII": Një kujtesë vullkanike e madhështisë së tyre
- Valët e trurit, inteligjenca artificiale dhe Pink Floyd
- Pesëdhjetë vjet në anën e errët të jetës së përditshme
- Tre megalomaniakë në një dhomë: “The Wall” – përvoja më e hidhur e Alan Parkerit
- Gjeniu i çmendur pranë shtëpisë sime
- Roger Waters dhe kënga për luftën në Kosovë

“Isha duke lotuar”, tha më vonë Watersi. Ai i tregoi Wrightit. “Rogeri tha: ‘Nuk e di kush është ky njeri, apo jo? Është Sydi’”, kujton Wright. “Ishte një tronditje e madhe. Ai vazhdonte të ngrihej në këmbë, të lante dhëmbët, pastaj e fuste furçën në qese dhe ulej sërish”.

Rrëfimet për atë që ndodhi më pas ndryshojnë. Sipas Wrightit: “Syd u ngrit dhe tha: ‘Mirë, kur do t’i bie unë kitarës’? Dhe, ne i thamë, ‘Na vjen keq, Syd, kitarat janë të gjitha të incizuara’”. Ndërkohë, Gilmouri ka thënë: “U përpoqëm ta përfshinim në bisedë, dhe ai u largua duke ecur poshtë nëpër ‘Abbey Road’, dhe kjo ishte hera e fundit që e pamë”.

Kopertina 50 mijë dollarëshe e albumit

Elementet përfundimtare të Wish You Were Here u përmbyllën kur Storm Thorgerson dhe Aubrey Powell nga Hipgnosis të cilët sajuan një realizim tepër të ndërlikuar të paketimit së albumit, që përfshinte kaskaderë, zhytës dhe sesione fotografike në shkretëtira, liqen dhe studio filmike e vende nga Kalifornia deri në Norfolk. Pastaj gjithçka mbështollën me plastikë të zezë të padepërtueshme.

Powell ka thënë se kushtoi rreth 50 mijë dollarë për ta krijuar - ekuivalenti i më shumë se një çerek milion dollarëve sot [vlera e përafërt e 214 mijë eurove]; padyshim një shumë të cilën asnjë kompani diskografike moderne nuk do ta investonte në një kopertinë albumi.

Një reagim i ashpër nga kritikët

Wish You Were Here u publikua me pritshmëri të jashtëzakonshme, por u prit me komente pothuajse përçmuese nga kritika. Është vërtet tronditëse t’i lexosh ato tani. Rolling Stone e quajti atë “pa energji” dhe “të zbrazët” nga “pasioni i sinqertë”. Për Melody Maker tingëllonte si “e pabesueshme në sinqeritetin e saj të rëndë”, duke treguar “mungesë kritike të imagjinatës në të gjitha aspektet”.

Publiku tregoi më shumë ndjeshmëri ndaj trishtimit të tij të natyrshëm dhe madhështisë aspiruese, dhe ai u bë albumi që u shit më shpejt nga Pink Floyd, duke arritur vendin e parë në të dy anët e Atlantikut.

Rikthimi në klasifikime pas gjysmë shekulli

Duke pasur parasysh vëmendjen e jashtëzakonshme ndaj detajeve, nuk do të ishte çudi që Wish You Were Here do të kryesojë përsëri top-listat në këtë 50-vjetor. Versionet e papërfshira, demot dhe interpretimet në koncerte mund të na japin shenja për rrethanat e çuditshme dhe të ngatërruara të krijimit të tij, por vetë albumi tregon një histori tjetër: atë të katër muzikantëve që synonin qiellin, duke vënë gjithë mjeshtërinë dhe krijimtarinë e tyre për të krijuar diçka sipas aftësive të tyre më të mira.

Mason e pranoi më vonë se ishte “i habitur” se sa mirë tingëllonte. Wright e quajti atë albumin e tij të preferuar (dhe të vetmin që mund ta dëgjonte për kënaqësinë e tij personale). Waters e njohu atë si “albumin më të plotë” të grupit, ndërsa Gilmour gjithashtu e ka përshkruar si një nga të preferuarit e tij. “Fundi i asaj - çfarëdo që të ishte - ma ka lënë një album me të cilin mund të jetoj shumë, shumë i lumtur”, tha ai. Javën e kaluar, e pashë Gilmourin në një dëgjim të një miksimi të ri Atmos [teknologjia Atmos Surround Sound] të Wish You Were Here. “Nuk kam sistem Atmos në shtëpi”, pranoi ai, “kështu që ndoshta është hera e vetme që do ta dëgjoj në këtë mënyrë”.

Mund të them se tingëllonte krejtësisht fantastik - siç ka qenë gjithmonë, në fakt. Ai dukej se sinqerisht po e shijonte dëgjimin, duke pranuar duartrokitje nga një grup i vogël të pranishmish, përfshirë Noel Gallagherin (i cili më tha më vonë se preferon albumin The Wall). Pas dëgjimit, e pyeta Gilmourin për vështirësitë e raportuara gjatë incizimeve, dhe ai buzëqeshi dhe tha: “Epo, nuk ishte gjithçka keq. Kishte momente kur bënim shumë punë”.

Dhe, pastaj pyeti: “E vure re shakanë e vogël muzikore në fund”? E vërteta është se nuk e kisha vënë re më parë, por tani nuk e besoj dot sesi e kam humbur. Pikërisht në fundin e fundit të albumit, mund të dëgjosh një motiv të vogël me tastierë nga singli klasik i periudhës së Syd Barrettit të grupit Pink Floyd, See Emily Play [Shife emilinë qysh po luen]. Kështu që Barretti përfundimisht u përfshi në album. “Ka shumë gjëra që ndodhin”, buzëqeshi Gilmour, duke më falur. /Telegrafi/