Wayne Rooney zbulon kontratën gjigante te Manchester United: Fitonte 10 herë më shumë se legjendat e klubit

Wayne Rooney ka zbuluar shifrën e jashtëzakonshme që ka fituar nga kontrata më e madhe e karrierës së tij te Manchester United – një pagë dhjetëfish më e lartë se ajo e disa prej ish-shokëve më të respektuar të skuadrës.
Rooney shpërtheu në skenë te Everton në moshën 16-vjeçare dhe brenda dy vitesh u bë superyll botëror, pas paraqitjes brilante në “Euro 2004” dhe transferimit te United për 27 milionë funte, duke u bërë adoleshenti më i shtrenjtë në historinë e futbollit.
Me rritjen e jashtëzakonshme të të ardhurave në Ligën Premier dhe zgjerimin global të kampionatit, Rooney ishte automatikisht i pozicionuar të fitonte paga shumë më të mëdha se bashkëlojtarët e tij më të vjetër në kulmin e tyre.
Prandaj, zbulimi se kontrata e tij më e majme i sillte rreth 17 milionë funte në sezon shkaktoi reagime të habitura te Gary Neville dhe Roy Keane, në episodin e fundit të podcastit “Stick to Football”.
Diskutimi lindi pasi Neville kishte premtuar se do të sillte disa prej kontratave të tij të vjetra nga karriera që zgjati nga viti 1992 deri në 2011. Në vitin 2001, ai kishte nënshkruar një kontratë prej 1.5 milionë funtesh në sezon – rreth 30 mijë funte në javë. Kontrata e famshme e Roy Keane në vitin 1999, atëherë më e larta në historinë e futbollit britanik, arrinte 50 mijë funte në javë, me marrëveshjen e tij më të mirë disa vite më vonë që i siguronte rreth 5 milionë funte në sezon.

Jamie Carragher tregoi se kontrata e tij më e mirë te Liverpool i sillte 3 milionë funte në vit, ndërsa Ian Wright fitonte 1.25 milionë funte në sezon tek West Ham – më shumë sesa e kishte fituar ndonjëherë te Arsenali, pavarësisht statusit të tij si legjendë.
Rooney, ndërkohë, theksoi se marrëveshja 17 milionë funte në vit – rreth 325 mijë funte në javë – nuk ishte kontrata që nënshkroi pas deklaratave të tij të bujshme në vitin 2010, kur vuri në dyshim ambicien e klubit dhe kërkoi largimin.
Bëhej fjalë për kontratën pesëvjeçare të shkurtit 2014, të cilën e nënshkroi në moshën 28-vjeçare, ndonëse tashmë kishte hyrë në rënie të karrierës.
“Gjërat po ndryshonin atë periudhë”, tha Rooney, teksa të tjerët mbetën të habitur, pasi të gjithë ishin tërhequr nga futbolli para vitit 2014.
Carragher u shpreh i habitur edhe nga paga e ulët e Neville, duke marrë parasysh statusin e tij te United dhe në futbollin anglez. Por Neville tha se nuk e kishte prioritet paranë, por sigurinë dhe besnikërinë ndaj klubit.

“Paraja nuk ka qenë kurrë fokusi im. E vetmja gjë që kam menduar ishte të mbyllja karrierën te Manchester United. Një kontratë e gjatë me pagë më të ulët ishte më e mirë për mua sesa një kontratë më e shkurtër me më shumë para”.
Neville kujtoi se menjëherë pas nënshkrimit të kontratës së tij më të madhe në vitin 2007 – me vlerë 1.75 milionë funte në sezon plus një bonus prej 500 mijë funtesh – u dëmtua në 2008 dhe mungoi për një vit, por kontrata afatgjatë e mbante të sigurt.
“E dija se, duke nënshkruar një marrëveshje shtatëvjeçare në moshën 24-vjeçare, nuk mund të më largonin deri në moshën 31 vjeç. Kjo më dha stabilitet dhe më mbajti në klub deri në fund të karrierës”./Telegrafi/




















































