Kapja e Maduros, reagon Vuçiq: Rendi botëror ka rënë - bashk me të edhe rezolutua 1244

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, iu drejtua mediave pas një mbledhjeje të Këshillit për Siguri Kombëtare, ku u trajtuan tre çështje kryesore: siguria politike dhe ushtarake në rajon dhe botë, siguria energjetike dhe siguria e Serbisë, si dhe veprimet e fundit ushtarake amerikane në Venezuelë.
Vuçiq vlerësoi se rendi i vjetër botëror është duke u shembur, dhe se ligjet ndërkombëtare dhe Kartat e Kombeve të Bashkuara nuk funksionojnë në praktikë, pavarësisht se ekzistojnë në letër.
Ai tha se pas veprimeve në Venezuelë kjo është bërë më se e qartë, dhe se Serbia duhet të jetë e vetëdijshme për këtë realitet.
Sipas mediave serbe, Vuçiq gjithashtu shprehu shqetësim për armatosjen e vazhdueshme të Prishtinës, duke e cilësuar si një shkelje të Rezolutës 1244 të OKB-së, e cila sipas tij është “në praktikë pezulluar” nga fuqitë e mëdha perëndimore dhe disa akter rajonalë.
Ai përmendi edhe një aleancë të re mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, të cilën e konsideron një kërcënim specifik ndaj sovranitetit të Serbisë.
“Pra, ju e shihni që nuk ka parime. Kjo është arsyeja pse ne jemi veçanërisht të shqetësuar për armatimin e mëtejshëm të Prishtinës, në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244, e cila është pezulluar de facto, por jo de jure, nga fuqitë e mëdha, siç është Turqia. Ato po e armatosin me shpejtësi Prishtinën. Një kërcënim i veçantë për sigurinë e Serbisë është aleanca ose bashkimi i sapokrijuar i Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit, i cili po zhvillohet në një fushë të gjerë që përfshin zhvillimin e përbashkët të sistemeve komplekse luftarake nga automjetet katër me katër deri te armët dhe mjetet më të fuqishme”, tha Vuçiq.
Duke folur për ushtrinë, Vuçiq tha se Serbia do të përgatitet për mbrojtje nga ata që nuk fshehin më kërcënimet e tyre, duke njoftuar se brenda një viti e gjysmë synon të dyfishojë kapacitetet ushtarake, duke përfshirë edhe forcimin e njësive speciale.
Ai theksoi gjithashtu se Serbia duhet të mbështetet te vetja dhe të jetë e gatshme, sepse nuk pret ndihmë nga askush tjetër në rast të kërcënimeve të ardhshme. /Telegrafi/

































