Nga: Dashnor Kaloçi
Publikohen dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formularë, hetimorë dhe gjyqësorë), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952 filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë për në Turqi dhe, si rezultat, u emërua si mësues në shkollën fillore “Shaban Zeneli” të Kumanovës.
Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja u bë në vitin 1952, pasi bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur “Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare”. Dënimin me shtatë vite burg politik e vuajti në Nish dhe Idrizovë. Pas arratisjes nga Jugosllavia dhe shkuarjes në Shqipëri, qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit. Pastaj iu dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi. Por, meqë refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me akuzën “agjitacion e propagandë”.
***
Letra e Myrteza Bajraktarit dërguar ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës Popullore të Shqipërisë, Kadri Hazbiut, në vitin 1971
Shokut Kadri Hazbiu
Ministër i Punëve të Brendshme i Republikës Popullore Të Shqipërisë
I nderuari shoku Ministër.
Më falni se po Ju shqetësoj, por jam i detyruar.
Quhem Myrteza Bajraktari, i lindur në 1933 në Gostivar, ku mbasi dola mësues, u arrestova dy herë nga UDB-ja për çështje politike-patriotike dhe kalova nëpër burgje shtatë vjet.
Në vitin 1962, u arratisa në R.P.SH.-së, duke falenderuar Partinë dhe qeverinë, mbarova sivjet studimet në fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë-Letërsi.
Kam marrë shtetësinë shqiptare, banoj në Tiranë, jam martuar para katër vjetësh dhe kam një fëmijë tre vjeç. Gruaja ime, Kimete Berisha, ka mbaruar Konservatorin dhe prej dhjetë vjetësh pa shkëputje, punon në Radio-Tirana.
Shkaku që po ju drejtohem me këtë letër, është se mua më kanë emëruar në Berat si mësues. Unë jam dakord të shkoj atje ku ka nevojë Partia, mirëpo, rrethanat në të cilat u vendos emërimi im, më shtynë që t’ju paraqes gjendjen time siç është:
Unë jam në moshën 37 vjeç, me shëndet të shkatërruar nëpër burgje dhe kampe, vuaj nga tensioni i gjakut dhe zëmra.
Unë jam ndarë njëherë nga familja atje dhe më duket e rendë, të ndahem dhe nga familja që krijova këtu. E them këtë, sepse gruaja nuk mund të më shoqërojë pa braktisur profesionin e violinistes, të cilit ja ka kushtuar të gjithë energjitë, ëndrrat dhe dëshirat e jetës së saj.
Unë njoh turqishten, serbo-kroatishten dhe maqedonishten, pra, mund të punoj jo vetëm si mësues, por edhe si përkthyes, në institucionet përkatëse dhe pikërisht në Institutin e Historisë ose të Folklorit, ku kanë shumë nevojë për përkthyes, saqë kanë ngarkuar punonjës që të mësojnë këtë gjuhë nga e para. Kur mësoi Prof. Aleks Buda, se zotëroi këto gjuhë, bëri çmos që të më marrë si kuadër, kurse Zini Sako më tha: “Ne kemi shumë nevojë për një njeri si Ju, por drejtohuni vetë Ministrit të Arsimit …”. E gjithë kjo, sepse unë jam kosovar dhe kur është fjala për kosovarët, askush nuk guxon të bëjë diçka pa rekomandim nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Po shtoj me shumë keqardhje, se në Tiranë, janë emëruar të gjithë kolegët e mi të kursit që figuronin të martuar, por që janë, ku e ku, më të rinj se unë, të porsamartuar, pa fëmijë dhe pa vuajtjet dhe sakrificat si të mijat. Janë emëruar në Tiranë edhe disa të pamartuar.
Nuk e kuptoj dot, në interes të kujt është, që të mos shkulemi nga Tirana, ku mund të japim shumë më tepër për çështjen e atdheut dhe të Partisë dhe të fillojmë nga e para e të kërkojmë strehim, punë për gruan, çerdhe për fëmijët, e të tjera telashe që mund të mbyllen, vetëm duke m’i siguruar një punë në arsim, ose në një institucion tjetër armiqësor.
Gjatë studimeve, kam qenë tepër kërkues ndaj vetes dhe si rezultat, mbrojtja e diplomës sime u vlerësua me notën dhjetë nga komisioni.
Me dy fjalë, kjo është gjendja.
Mbetem me shpresë se do ta shqyrtoni kërkesën time.
Më falni ju lutem sh. Ministër, që Ju shqetësova.
Me shumë respekt
Myrteza Bajraktari
Rruga “Grigor Heba”, Nr. 3 Tiranë
22/10/1970
(sic.)
***
Dokumenti me vendimin e dënimit të Myrteza Bajraktarit, nga Gjykata e Rrethit të Tiranës, me kryetar Hydaji Bejo, në vitin 1971
REPUBLIKA POPULLOR E SHQIPËRISË
GJYKATA E RRETHIT TIRANË
Nr. 245 Regj themeltar
Nr. 162 Vendimit
V E N D I M
NË EMËR TË POPULLIT
Këshilli gjyqësor i Gjykatës së Rrethit Tiranë, i formuar nga:
Hydaji Beja, Kryetar
Fane Boshnjaku, anëtar
Në seancën gjyqësore të datës 17/6, 26/6. dhe 28/6/1971, me sekretar Sadik Mane, e me pjesëmarrjen e zëvendësprokurore së rrethit, Hava Bekteshi, mori në shqyrtim çështjen penale, nr.145, që i përket të pandehurit Myrteza Bajraktari, i biri i Fahriut dhe i Rezmies, i dt. 1933, lindur në Gostivar të Jugosllavisë, banues në Tiranë, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, me origjinë shoqërore punëtor, me gjendje shoqërore, nëpunës, arsimtar, në dispozicion në Ministrinë e Arsimit, me arsim të lartë, Pedagogjik, me gjendje familjare, të martuar, ka një fëmijë, i padënuar më parë, i paorganizuar, pa dekorata, i arrestuar me datën 12/11/1970.
Akuzuar në bazë të nentit 73/1 të K.P.
Pasi u verifikua materialet hetimore, pohimet e të pandehurit, thëniet e dëshmitarëve, pasi dëgjoi fjalën e Prokurorit, i cili kërkoi që i pandehuri të deklarohet fajtor dhe në bazë të nenit 73.1, të K.P., të dënohet me 5 vjet heqje të lirisë, pasi dëgjoi mbrojtjen dhe fjalën e fundit të të pandehurit, si dhe pasi analizoi provat në tërësi:
V Ë R E N:
I Pandehuri Myrteza Bajraktari, ka ardhur në Republikën Popullore të Shqipërisë në vitin 1962, i arratisur nga Jugosllavia. Ka marrë shtetësi shqiptare, ka mbaruar fakultetin Histori-Filologji, me bursë të shtetit, ka krijuar familje në qytetin e Tiranës, dhe me mbarim të fakultetit në 1969, është emëruar mësues gjimnazi, në qytetin e Beratit.
Nga provat që u administruan gjyqësisht, vërtetohet se: megjithëse trajtimin e tij në bazë të dispozitave mbi emigracionin, qysh në fillim, i pandehuri ka folur kundër vijës së Partisë së Punës së Shqipërisë, ndaj Kosovës dhe kosovarëve.
I pandehuri ka agjituar me emigrantët kosovarë, se gjoja Partia dhe pushteti popullor, e kanë trajtuar keq emigracionin kosovar në Shqipëri dhe nuk interesohet për çlirimin e Kosovës. Sipas tij, Republika Popullore e Shqipërisë, jo vetëm nuk ka mbështetur luftën e drejtë të popullit kosovar, por përkundrazi, ka penguar dhe ajo mban përgjegjësi për situatën e krijuar në vitet 1945-’46, e më vonë në dëm të luftës së drejtë të popullit kosovar.
Në vazhdim të qëndrimit të tij armiqësor, ndaj Republikës Popullore të Shqipërisë, i pandehuri Myrteza, ka folur ka folur se në Shqipëri nuk ka demokraci e liri, ka diktaturë dhe shtypje, pushteti mbahet me forcë, gjendja ekonomike është e vështirë. Si rrjedhim, pushteti me situata të caktuara, është i destinuar të përmbyset.
I pandehuri Myrteza, në proceset e para hetimore, ka pranuar se i pandehuri Kapllan Resuli, i ka folur se kosovarët e kishin te këta që të shpresonin në ndihmën e Partisë dhe të Qeverisë për çlirimin e Kosovës dhe se u del si detyrë që ta bënin të qartë këtë gjendje ne kosovarëve.
Po në këtë proces, i pandehuri, thotë se ka qenë dakord me këtë mendim të Kapllan Resulit dhe me shpresat për të ndihmuar kosovarët në luftën e tyre të drejtë për çlirimin, ishin të humbura, ka pranuar t’i thoshte çdo kosovari që të takonte, të mos ushqente asnjë iluzion për ndihmë nga Shqipëria. Më poshtë i pandehuri, ka pranuar se ka fol sa më sipër, me persona të ndryshëm Kosovar.
Më vonë, këtë thënie hetimore, i ka mohuar dhe ka shpjeguar se asgjë nuk ka të vërtetë me përmbajtjen e tyre. Gjatë gjykimit të çështjes, lidhur me këto pohime, në hetuesi, pranoi se janë thëniet e tija. Megjithatë, u mundua të shfajësohet me arsyetimin, se duke qenë nën presionin hetimor, ka pranuar akuza të paqena, vetëm për të shpejtuar daljen në gjyq.
Këto pretendime të të pandehurit Myrteza, nuk gjejnë asnjë mbështetje ligjore, për faktin se ato, harmonizohen plotësisht, edhe me thëniet e dëshmitarëve, si me Xhevahir Hasën, Ram Buçollin, e Adem Istrefin.
Të gjithë dëshmitarët e sipërm, si në hetuesi ashtu dhe gjatë gjykimit të çështjes, vunë në dukje bisedat me përmbajtje armiqësore, kundër pushtetit popullor, që u ka bërë i pandehuri. Nuk ka asnjë arsye, se dëshmitarët e sipërm, të artikulojnë në dëm të pandehurit, akuzat të paqena.
Gjithashtu si provë që vërteton fajësinë, janë edhe thëniet e Fazlli Ramadanit, të cilit i pandehuri i ka shprehur pakënaqësi, se: emigrantët kosovarë në Shqipëri, nuk trajtohen mirë. Këtë bisedë, i pandehuri i ka bërë në vitin 1969, kur janë takuar të dy me Fazllinë, para Ministrisë së Arsimit.
I pandehuri Myryteza, e pranon takimin me Faslli Ramadanin, para Ministrisë së Arsimit dhe se i janë ankuar njëri-tjetrit, për gjoja padrejtësitë personale që u bëheshin. Por, mohon, që t’i ketë folur kundër Partisë dhe pushtetit.
Ndërsa Faslli Ramnadani, shpjegon se i pandehuri Myrteza, i ka folur se u bëhej luftë kosovarëve. Nga ana tjetër, i pandehuri Myrteza, pranon se ka biseduar me Kapllan Resulin, por mohon, që ai t’i ketë fol gjëra armiqësore, kundër Partisë e pushtetit.
Ndërsa Kapllan Resuli, për ta nxjerrë vetëm si njeri pozitiv, shpjegon se i pandehuri Myrteza Bajraktari, kur ka diskutuar me të, për “programin e statutin e Frontit Nacional-çlirimtar për Çlirimin e Kosovës” e ka quajtur: “Të kuq” dhe është shprehur me ironi, “Centralizëm – Demokratik”!?
Nga të gjitha sa më sipër, vërtetohet se i pandehuri Myrteza, me qëllim që t’i shmanget fajësisë, mundohet të justifikohet se thëniet në hetuesi, janë bërë thjesht për të shpejtuar daljen në gjyq, dhe se dëshmitarët gënjejnë dhe shpifin kundër tij.
Fajësia e të pandehurit, vërtetohet edhe me këtë përmbajtje, të dorëshkrimit, gjetur gjatë kontrollit të banesës së tij: “E gjithë kjo”, shkruan i pandehuri në letër – ndodh sepse, unë jam kosovar dhe kur është fjala për kosovarët, askush nuk guxon ta pranojë në punë, sepse “nuk na njohin”, kurse ata që duhet të na njohin, s’çajnë kokën për ne, se nuk duan të na shohin surratin këtu në Tiranë”.
Mendimet e shprehura sa më sipër, vërtetojnë qartë se i pandehuri, me qëllime të caktuar i kundërvihet së vërtetës, politikës, të drejtës marksiste-leniniste të Partisë, ndaj emigracionit kosovar dhe kosovarëve në përgjithësi.
Në rrethanat e lartpërmendura, vërtetohet fakti se i pandehuri Myrteza, si nacionalist borgjez, dhe irredentist, nuk pajtohet me politikën e Partisë tonë, i kundërvihet asaj, duke agjituar e propaganduar ndër persona kosovarë, Xhevahir Hasës, Ram Buçollit, dhe Adem Istrefit, me qëllim që të ngjallte mosbesim dhe pakënaqësi ndaj Partisë Punës Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Shqipërisë.
Në kundërshtim me pretendimet e të pandehurit, këto nuk janë gabime, por agjitacion e propagandë për të dobësuar dhe minuar pushtetin popullor.
Në këto kushte, Gjykata e gjen të mbështetur në prova, akuzën bazë të nenit 73/1, të Kodit Penal, kundër të pandehurit Myrteza Bajraktari.
Në caktimin e masës së dënimit, mbahet parasysh se sfera e veprimtarisë së të pandehurit në dëm të pushtetit, ka qenë mjaft e kufizuar. Një rrethanë e tillë, bën që të aplikohet kundër tij minimum i sanksionit të nenit 73/1 të Kodit Penal.
Për këtë arsye, Këshilli Gjyqësor, në mbështetje të neneve 277 e 284 të Kodit të Pr. Penale:
V E N D O S I:
Të deklarojë fajtor të pandehurin Myrteza Bajraktari dhe në bazë të nenit 73/1 të K.P. e dënon me 3 (tre) vjet heqje të lirisë.
Vuajtje e dënimit, i fillon nga data 12/11/1970.
Kundër këtij vendimi, mund të bëhet ankimim e me protestë, në Gjykatën e Lartë, brenda pesë ditëve.
U shpall në Tiranë, më 28/6/1971.
(sic.)
/Burimi: Memorie.al/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëFjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
DËSHIRA E VËRTETË E SHQIPTARËVE
Haveli dhe Rugova
KUJDES ME FJALËN
Këto pesë vepra të çuditshme surrealiste nuk janë ashtu siç duken!
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Platforma ku mund ta shikoni duelin e vitit Jake Paul - Mike Tyson
Cristiano Ronaldo po largohet nga Al Nassr shkaku i garës së FIFA-s
Publikohet lista e plotë me rregullat kontroverse për luftën Mike Tyson - Jake Paul
Trump dëshiron ta mbyllë Departamentin e Arsimit - çfarë do të thotë kjo për edukimin shkollor
Ledri Vula e pranon se ka fjetur me një fanse
John Thune zgjidhet kryetar i Senatit Amerikan - kandidati që donin shqiptaro-amerikanët