Gjatë sesionit të janarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku morën pjesë deputetët Ivanka Vasilevska, zëvendësshefe, dhe anëtarët Bekim Qoku dhe Bisera Kostadinovska Stojçevska, u votua Rezoluta për mbylljen e dialogut të pasmonitorimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Teksti i Rezolutës në emër të Komisionit të Monitorimit u përgatit nga referuesit Sibel Arsllan nga Zvicra nga grupi politik i Socialistëve dhe Xhozef O’Rajlli nga Irlanda nga Partia Popullore Evropiane.

Teksti thotë se Asambleja Parlamentare e njeh progresin e qëndrueshëm të Maqedonisë së Veriut në demokraci, sundimin e së drejtës, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimin me trupat e Këshillit të Evropës dhe e njeh përkushtimin politik të autoriteteve për të përmbushur detyrimet e ndërmarra gjatë hapjes së dialogut të pas-monitorimit në vitin 2000. Bazuar në këtë, Asambleja vendosi të mbyllë dialogun e pas-monitorimit me Maqedoninë e Veriut dhe të vazhdojë t'i ndjekë zhvillimet përmes mekanizmit të tij të rregullt të shqyrtimit periodik.


Komisioni i Monitorimit ose emri i gjatë: Komisioni për Respektimin e Detyrimeve dhe Angazhimeve nga Vendet Anëtare të Këshillit të Evropës, ka rol të rëndësishëm në ndjekjen e përmbushjes së detyrimeve të ndërmarra nga vendet anëtare sipas kushteve të Statutit të Këshillit të Evropës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të gjitha konventave të tjera të lidhura në kuadër të Organizatës ndaj së cilës vendet anëtare janë angazhuar.

Rëndësia e procesit të monitorimit theksohet edhe në marrëdhëniet midis Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian. Pra, ekziston qasja e koordinuar ndaj mekanizmave të monitorimit si në Këshillin e Evropës, përkatësisht Asamblenë Parlamentare dhe komisionet e saj, Komitetin e Ministrave, Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, Komisionin e Venecias, ashtu edhe me BE-në dhe organizatat e tjera ndërkombëtare. Ekziston bashkëpunimi i ngushtë, konsultimi dhe koordinimi i aktiviteteve brenda kornizës së zgjerimit të BE-së dhe për këtë arsye përmbushja e detyrimeve dhe angazhimeve ndaj Këshillit të Evropës konsiderohet element i rëndësishëm për avancimin, përshpejtimin dhe realizimin e aspiratave për integrim të mëtejshëm evropian të një shteti të caktuar.

Të gjithë anëtarët e Delegacionit të Kuvendit morën pjesë në debatin mbi këtë pikë. Ivanka Vasilevska theksoi përkushtimin e vendit ndaj vlerave evropiane, reformave demokratike dhe bashkëpunimit konstruktiv brenda Këshillit të Evropës, dhe e vlerësoi mbylljen e dialogut të pas- monitorimit si njohje të përpjekjeve afatgjata. Ajo iu referua progresit të arritur në proceset demokratike përmes zgjedhjeve të drejta, ndryshimit paqësor të pushtetit, zgjedhjes së presidentes së parë femër dhe rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit, të konfirmuara nga GREKO.

Në fund, theksoi se miratimi i rezolutës është konfirmim i progresit, karakterit multietnik dhe gjithëpërfshirës të vendit dhe përkushtimit të tij të vazhdueshëm ndaj reformave. Bekim Qoku e përshëndeti përfundimin e dialogut të pas-monitorimit për Maqedoninë e Veriut si sukses të rëndësishëm jo vetëm për vendin, por edhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Ai theksoi se reformat dhe përkushtimi i vazhdueshëm ndaj standardeve të Këshillit të Evropës sjellin rezultate konkrete dhe e forcojnë demokracinë dhe stabilitetin në rajon. Qoku theksoi se Maqedonia e Veriut është partner i besueshëm evropian, plotësisht i harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe i përkushtuar ndaj integrimit evropian. E përfundoi fjalimin e tij duke përshëndetur rezolutën si njohje të progresit të arritur dhe nxitje për të vazhduar reformat në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Bisera Kostadinovska Stojçevska theksoi se kjo rezolutë, e cila mbylli procesin pas 25 vite, është rezolutë për çdo politikan që ka qenë ose është ndonjëherë në pushtet, se e pasqyron situatën, por edhe dëshirën e qytetarëve për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Ajo tha se shpreson që me miratimin e kësaj rezolute, të gjithë politikanët në vend, veçanërisht pushteti, të marrin sinjal të qartë se vendi i Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian dhe se kjo duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur.