Ndonëse u dha njoftimi më 07.10.2025 se ka filluar ngrohja qendrore nga ndërmarrja publike “Termokos” në kryeqytet, qytetarët në lagje të ndryshme të Prishtinës janë ankuar se ende nuk ka filluar ngrohja.

Zëdhënësja e “Termokosit”, Afërdita Uka Fejzullahu, ka thënë për KALLXO, se për arsye të rrezikut të dëmtimit të mundshëm të sistemit të ngrohjes, janë duke punuar me kujdes duke e ngritur gradualisht kapacitetin dhe temperaturat e energjisë ngrohëse.


“Siç edhe kemi njoftuar dje (07.10.2025), ne kemi filluar të marrim energjinë termike nga KEK-u dhe ta shpërndajmë në rrjetin e ngrohjes në qytetin e Prishtinës. Për arsye të rrezikut të dëmtimit të mundshëm të sistemit të ngrohjes, në rast se do të operonim menjëherë me temperatura të larta, në bashkëpunim të ngushtë me KEK-un kemi punuar me kujdes të shtuar duke e ngritur gradualisht kapacitetin dhe temperaturat e energjisë ngrohëse” – u shpreh Uka Fejzullahu.

Sipas saj, tashmë, një pjesë e konsiderueshme e konsumatorëve kanë filluar ta vërejnë efektin e ngrohjes në radiatorët e tyre dhe që shtoi se gjatë ditës ngrohja do të arrijë edhe tek pikat më larta dhe më të largëta të rrjetit të ngrohjes.

“Qarkullimi dhe arritja e ngrohjes nëpër radiatorët e konsumatorëve tanë është vështirësuar dukshëm, si pasojë e ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike, me të cilat jemi përballur sot”- shtoi ajo.

Zëdhënësja e “Termokosit” ka lutur konsumatorët të kenë mirëkuptim deri në stabilizimin e plotë të furnizimit me ngrohje.

“Termokos” ka njoftuar më 07.10.2025 se ka filluar sezonin ngrohës tetë ditë para afatit të rregullt.

Sipas kësaj ndërmarrjeje, kjo është hera e parë në historinë e ekzistimit të saj, që sezoni ngrohës nis 8 ditë para afatit të zakonshëm, si reagim i menjëhershëm ndaj përkeqësimit të motit.

“NP ‘Termokos’ dhe KEK-u po hyjnë në sezonin e 10-të bashkëpunimit të suksesshëm, përmes të cilit po sigurohet një furnizim i qëndrueshëm dhe cilësor për mbi 25 mijë konsumatorë. Duke qenë se sistemi i ngrohjes është shumë kompleks dhe delikat, procesi i fillimit të operimit do të zhvillohet me kujdes të shtuar, duke e ngritur gradualisht kapacitetin e pranimit dhe shpërndarjes së energjisë termike” – thuhet në postimin e “Termokos”-it në Facebook, më 07 tetor.

Sezoni i rregullt i “Termokosit” është nga 15 tetori deri më 15 prill.