Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) ka reaguar pas raportimeve mbi vonesat në ekzekutimin e pagesave për orët shtesë të policëve, infermierëve dhe ushtarëve, duke sqaruar përgjegjësitë e organizatave buxhetore përkatëse.

Sipas MFPT-së, përgatitja e listave të pagave dhe sigurimi që shumat e urdhëruara për pagesë janë brenda kufijve buxhetorë të miratuar, i takon secilës organizatë buxhetore. Ministria theksoi se Thesari vetëm siguron përputhjen me ndarjen buxhetore dhe kryen procesimin e pagesave.


"U takon organizatave buxhetore përkatëse që të planifikojnë buxhetin vjetor në mënyrë të përshtatshme dhe të sigurohen se kanë fonde të mjaftueshme kur miratojnë shtesa mbi pagën bazë. Çdo tejkalim i ndarjes buxhetore mujore mund të rezultojë në vonesa ose pamundësi për ekzekutimin e plotë të pagesave," thuhet në reagimin e Ministrisë.

MFPT bëri të ditur se ka njoftuar me kohë organizatat buxhetore për këtë çështje dhe ritheksoi gatishmërinë për të ofruar mbështetje për planifikime më të sakta në të ardhmen, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ministria garantoi se do të punohet për të tejkaluar këtë situatë dhe për të siguruar që puna e zyrtarëve të kompensohet siç duhet në muajt në vijim.