Klubet shqiptare kanë dhënë një sinjal të fortë në arenën ndërkombëtare, duke regjistruar dy fitore të rëndësishme në sfidat e para të turit të dytë kualifikues në Ligën e Konferencës.

Vllaznia dhe Egnatia kanë bërë krenar futbollin shqiptar me paraqitje solide dhe rezultat pozitiv ndaj rivalëve të tyre.


Në stadiumin “Loro Boriçi”, Vllaznia përmbysi gjithçka ndaj islandezëve të Vikingur, duke triumfuar 2-1 pas një ndeshjeje emocionuese.

Shkodranët, të mbështetur nga një tifozëri entuziaste, u goditën të parët nga një gjuajtje me kokë e Gunarson në minutat e para.

Vikingur vazhdoi të rrezikonte, por pa mundur të dyfishonte rezultatin përballë portierit Jukaj.

Në pjesën e dytë, ndërhyrjet taktike të trajnerit Thomas Brdaric dhanë frytet e veta. Fillimisht ishte Bajrami që barazoi me kokë pas një goditje këndi, ndërsa Mala, me një gjuajtje të devijuar, realizoi golin e fitores për Vllazninë, që tashmë sheh me besim përpara drejt ndeshjes së kthimit.

Ndërkohë, Egnatia shkëlqeu në udhëtim, duke mposhtur 2-0 Dinamo Minskun në Bjellorusi. Skuadra nga Rrogozhina dominoi nga minuta e parë në të fundit, duke treguar pjekuri dhe qartësi taktike.

Golat e suksesit i shënuan Lushkaj në minutën e 28-të dhe Bakayoko në fundin e takimit (89'), duke i dhënë ekipit shqiptar një avantazh të rëndësishëm për sfidën e kthimit në shtëpi.

Me këto rezultate, të dy skuadrat shqiptare janë shumë pranë kualifikimit në raundin tjetër dhe kanë rritur ndjeshëm pritshmëritë për një verë historike në futbollin evropian. /Telegrafi/

telegrafi sport app