Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përshëndetur paraqitjen e Kosovës në hapjen madhështore të Lojërave Olimpike Dimërore dhe u uron fat sportistëve tanë në gara.

Flamuri i Republikës së Kosovës u valëvit me krenari në ceremoninë madhështore të hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026, duke shënuar një tjetër moment historik për sportin kosovar në arenën ndërkombëtare.


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi publik, theksoi emocionin dhe rëndësinë e këtij përfaqësimi, duke vënë në pah se Kosova po prezantohet me dinjitet, guxim dhe ëndrra të mëdha në skenën olimpike.

Në këto Lojëra Olimpike Dimërore, Kosova përfaqësohet nga dy skitarët e saj, Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj, të cilët bartin ngjyrat e shtetit dhe shpresat e një vendi të tërë për paraqitje sa më të denjë dhe rezultate pozitive.

“Kosova është me ju, sot, nesër dhe gjithmonë,” ka shkruar Osmani, duke u uruar sportistëve fat, sukses dhe kthim faqebardhë, ndërsa pjesëmarrja e tyre shihet si një tjetër hap përpara në afirmimin e Kosovës në sportin botëror. /Telegrafi/

telegrafi sport app