Arsenali ka zyrtarizuar tashmë transferimin e shumëpritur të Viktor Gyokeres nga Sporting Lisbona përmes një komunikate të publikuar në rrjetet sociale. 

Pas negociatave intensive me klubin portugez, ‘Topçinjtë’ më në fund ia dolën të sigurojnë shërbimet e yllit suedez. 


Kjo duket se e ka kënaqur tej mase trajnerin e londinezëve, Mikel Arteta, i cili ka lavdëruar kualitetet që posedon Gyokeres. 

"Jemi absolutisht të kënaqur që mirëpresim Viktor Gyokeres në klub. Viktor ka treguar një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme në paraqitjet e tij dhe ka qenë vazhdimisht i gatshëm për ekipin. Kontributi i tij në gola flet vetë”. 

“Ai ka shumë cilësi, është i fuqishëm dhe i shpejtë në repartin ofensiv, me statistika të jashtëzakonshme të shënimit, si në nivel klubi ashtu edhe në atë ndërkombëtar”. 

“Ai sjell një instinkt të mprehtë përpara portës, me një përqindje të lartë të realizimit të rasteve, ndërsa lëvizjet e tij inteligjente në zonë e bëjnë një kërcënim të vazhdueshëm”. 

“Jemi të entuziazmuar për gjithçka që Viktor do t’i sjellë skuadrës sonë dhe mezi presim të fillojmë punën me të”, ka thënë Arteta për faqen zyrtare të Arsenalit.  

Klubi londinez ka rënë dakord të paguajë 55 milionë euro si tarifë fikse, plus 8.5 milionë euro të tjera në formë bonusesh të lidhura me performancën./Telegrafi/

telegrafi sport app