LAJMI I FUNDIT:

Vitin e kaluar të hyrat ishin 1 miliardë e 779 milionë euro

Vitin e kaluar të hyrat ishin 1 miliardë e 779 milionë euro

Qeveria e Kosovës ka miratuar raportin financiar për vitin 2016, të cilin e ka proceduar për diskutim në Kuvendin e Kosovës. Raporti paraqet të hyrat dhe shpenzimet për vitin 2016.

Po ashtu, kabineti qeveritar në mbledhjen e saj ka miratuar edhe strategjinë për afirmimin dhe integrimin e komunitetit malazez në Kosovë, 2016-2021.


Ministri i Financave Avdullah Hoti duke prezantuar raportin vjetor financiar për vitin 2016, tha se janë arritur 96 për qind e të hyrave në bazë të planifikimeve, derisa rrija ekonomike ishte 4 për qind, krahasuar me vitin paraprak.

“Raporti evidenton qartë një menaxhim efektiv të financave publike i cili menaxhim ka mundësuar përmirësimin e pozitës fiskale të vendit duke arritur një deficit buxhetor mjaftë u ulët dhe që është indikator bazë i qëndrueshmërisë fiskale të vendit duke mbajtur shpenzimet rrjedhëse nën kontroll dhe duke arritur të përmbyllim vitin me një rezervë fiskale në nivele të kënaqshme. Sa i përket pranimeve apo të hyrave buxhetore gjatë vitit 2016 kemi pasur 1 miliardë e 779 milionë euro duke mos përfshirë garantët e caktuara të donatorëve fonde të ndryshme në mirëbesim. Kjo shumë është 96 për qind e pranimeve të planifikuara për vitin 2016 dhe paraqet një rritje prej 4 për qind krahasuar me vitin paraprak”, tha Hoti.

Sipas raportit, të hyrat tatimore janë rritur për 12 për qind, apo rreth 160 milionë euro më shumë se sa vitin paraprak.

Ministri Hoti theksoi se kjo rritje e të ardhurave ka ardhur si pasojë e pakos fiskale të shtatorit 2015 dhe në veçanti aktiviteteve që ka marr Dogana dhe administrata tatimore për luftimin e ekonomisë jo formale.

Shpenzime në total kanë qenë 1 miliardë e 750 milionë euro, që sipas Hotit është 99 për qind e shpenzimeve të planifikuara. Ai tha se krahasuar me vitin paraprak ka një rritje prej 9.5 për qind në shpenzime.

Megjithatë, zbatimi i MSA-së pati efekt negativ, pasi mbi 20 milionë euro Kosova humbi nga fillimi i zbatimit të MSA-së, në prill 2016.

“Me lejoni të theksoj se këto të hyra shtesë kanë ardhur me gjithë lirimet që kemi ofruar për sektorin privat me politikat fiskale të vitit 2015 që kanë dhënë efekt prej 47 milionë euro që kanë mbetur në sektorin privat gjatë vitit të kaluar. Përfitime të ndryshme për qytetarë prej 23 milionë euro për shkak të lirimit të normës së TVSH-s nga 16 në 8 për qind dhe zbatimi i MSA-së nga data 1 prill 2016 që ka pasur një efekt prej 23 milionë euro më pak në të hyrat buxhetore”, shtoi ai.

Po ashtu, në këtë mbledhje janë miratuar edhe nisma për negocimin e marrëveshjes për bashkëpunim financiar mes Kosovës dhe Gjermanisë, ndarja e mjeteve për Odën Ekonomike të Kosovës për organizimin e panairit tradicional “Prishtina 2017”, formimin e grupit për bashkëpunim me ekspertët e BB-së për hartimin e dokumentit për draft ligjin për inspekcione si dhe është bërë emërimi i bordit menaxhues të Lotarisë së Kosovës. /Telegrafi/