LAJMI I FUNDIT:

Vitiligo – njolla të bardha nëpër lëkurë

Vitiligo – njolla të bardha nëpër lëkurë

Është gjendja në të cilën lëkura humbë melaninën, pigment i cili definon ngjyrën e lëkurës dhe të qimeve. Kur “vdesin” qelizat të cilat prodhojnë melaninë apo pushojnë ta prodhojnë atë, paraqiten nëpër lëkurën njolla të bardha formash të parregullta, rëndom në formë rrethi, të cilat gradualisht shtohen.

Dr. med. Nijazi Ahmeti

Vitiligo përfshin rreth 1 deri në 2 për qind të popullatës dhe më e theksuar është te të bardhët. Te gjysma e të sëmurëve humbja e pigmentit fillon para moshës 20-vjeçare, ndërsa te një e pesta e popullatës, njëri anëtar i familjes tashmë është i sëmurë me vitiligo.

Përse paraqitet

Shkaku i sëmurjes nuk është i njohur, mirëpo ekzistojnë shumë teori të paraqitjes së saj, të cilat e plotësojnë njëra-tjetrën. Paraqitja e drejtpërdrejtë e sëmundjes mund të jetë e shkaktuar nga stresi emocional, sëmundja e rëndë, operacioni, etj.

Vitiligo shpesh shoqërohet me disa sëmundje autoimune; më së shpeshti me sëmundjen e gjëndrave tiroide në 30% të rasteve, sëmundjen e sheqerit, aneminë pernicioze, lupus erythematosusin, sklerozën sistemore, sëmundjen Crohn, alopecie areate, melanoma malinje, etj. Çrregullimet e gjëndrave tiroide, kryesisht tiroiditisi Hashimoto dhe sëmundja e Gravesit, janë të nevojshme të përjashtohen apo të konstatohen te secili pacient i ri me vitiligo.

v

Në fillim të sëmundjes paraqiten në lëkurë vatra të ndritshme të pigmentuara apo të bardha, të cilat shihen nëse lëkura përreth është më e errët e pigmentuar. Gjatë kohës rritet numri i rajoneve të depigmentuara, ndërsa vatrat ekzistuese rriten dhe bashkohen. Vitiligo më shpesh paraqitet në fytyrë (posaçërisht rreth syve dhe buzëve), qafës, shuplakave dhe shputave, gjunjëve, bërrylave, nënsqetullave, organeve gjenitale, majave të gjinjve, por mund të paraqitet në cilëndo pjesë të trupit. Nganjëherë mund të paraqitet edhe depigmentimi i flokëve pastaj depigmentimi i mukozës së gojës dhe organeve gjenitale.

Trajtimi

Në shërimin e vitiligos ekzistojnë shumë mundësi terapeutike, por asnjëra nuk është plotësisht e efektshme. Zgjedhja e terapisë varet nga përhapja e sëmundjes, aktiviteti i sëmundjes, mosha e të sëmurit, si edhe nga mundësia e aplikimit të disa formave të terapisë. Është me rëndësi qasja individuale ndaj secilit pacient.

Suksesi i shërimit varet nga koha e zgjatjes së sëmundjes dhe lokalizimi i ndryshimeve. Suksesi është më i madh nëse sëmundja nuk zgjat shumë. Ndryshimet në fytyrë reagojnë kënaqshëm ndaj terapisë, ndryshimet në trup dhe në pjesët e epërme të ekstremitetit më keq, derisa te shuplakat dhe shputat shërimi është më i ngadalshëm. Është shumë me rëndësi motivimi i pacientit, sepse trajtimi është afatgjatë, por edhe shërimi është i pasigurt.

Fototerapia është treguar si terapi më suksesshme dhe më e përshtatshme te shumica e tipave të vitiligos, posaçërisht te vitiligo e përgjithshme. Ekzistojnë shumë forma të fototerapisë. Deri para pak kohësh më së shpeshti është aplikuar e ashtuquajtura PUVA terapi te e cila para ekspozimit të dritës UV merren psolarenët (materie fotosensibilizuese të cilat shtojnë ndjeshmërinë e lëkurës ndaj rrezatimit UV) në formë tabletash. Trajtimet rëndom bëhen 2 herë në javë, por shërimi është afatgjatë.

puva-vitligo-treatment

Gjatë dhjetë vjetëve të fundit më shumë përdoret fototerapia e ngushtë spektrale. Ajo aplikohet 2 deri 3 herë në javë, ndërsa shërimi zgjat nga 6 muaj deri një vit, ndonjëherë edhe më gjatë. Disa terapi zgjasin vetëm disa minuta. Kryesisht terapia mirë përballohet, por mund të zbatohet edhe te fëmijët e rritur. Përafërsisht te gjysma e të sëmurëve rikthehet pjesa më e madhe e pigmenteve, edhe pse ripigmentimi i tërësishëm është i rrallë.
Sot, fototerapia është zgjedhja e parë te vitiligo e përgjithshme.

Forma më e re e fototerapisë në botë është e ashtuquajtura Excimer laseri, e cila aplikohet te vatrat e vogla, të lokalizuara, posaçërisht në fytyrë. Te të gjitha format e fototerapisë është e nevojshme të mbahet evidencë mbi dozat e aplikuara të rrezatimit UV, sepse ekspozimi afatgjatë dhe i pakontrolluar para dritës UV mund të shkaktojë plakjen e hershme të lëkurës dhe të shtojë rrezikun e paraqitjes së karcinomit të lëkurës.

Për shërimin e vitiligos ekzistojnë edhe barna të ndryshme për përdorim lokal në formë kremi, yndyre apo gjeli. Për vatra të vogla të lokalizuara në një rajon, më së shumti përdoren kortikosteroidet, por në aplikimin e tyre duhet pasur kujdes për shkak të dukurive të padëshiruara gjatë aplikimit të gjatë që e kërkon sëmundja siç është vitiligo. Efektet e padëshiruara anësore mund të jenë atrofia e lëkurës, paraqitja e akneve steroide, zgjerimi i enëve të gjakut, etj. Kujdes të veçantë është i nevojshëm te aplikimi i kortikosteroideve në fytyrë dhe te fëmijët. Rezultate të kënaqshme arrihen te 10 deri 50 për qind të të sëmurëve, të cilët kanë sëmundjen të lokalizuar.

Calcipotrioli është analog i vitaminës D3 e cila përdoret në shërimin e psoriazës, ndërsa shërimi i vitiligës mund të bëhet edhe në kombinim me fototerapinë.

Tocralimus dhe pimecrolimus më së shumti përdoren për shërimin e vitiligës në rajonin e fytyrës dhe në qafë, por nuk shkaktojnë atrofinë e lëkurës siç e bëjnë kortikosteroidet. Mund të qitet edhe rreth syve. Përballimi i barnave është i mirë (ka mundësi të paraqitet irritim i lehtë i lëkurës, që është kalues). Me rastin e përdorimit të tyre nuk rekomandohet ekspozimi në dritën UV të diellit.

leucoderma-treatment

Catalase dhe pseudocatalase janë përbërës lokalë, të cilët mund të përdoren në shërimin vitiligos në kombinim me fototerapinë, edhe pse efektshmëria e tyre është e dyshimtë. Përballimi i këtyre përbërësve është i mirë (efektet anësore janë të rralla dhe të buta). Te të sëmurët me ndryshime të vogla të lokalizuara, të cilat nuk reagojnë ndaj formave të tjera të shërimit dhe te të cilët sëmundja është stabile, në raste të veçanta mund të provohet shërimi kirurgjik me teknika speciale. Te të sëmurët te të cilët sëmundja përfshin më shumë se 80 për qind të lëkurës merret parasysh eliminimi i pigmenteve me procedura tjera (piling kimik apo me laser).

Në shërimin e vitiligës provohet edhe aplikimi i levamisolit, vitaminave dhe mineraleve, aplikimi lokal i ekstraktit të placentës (melagenine), kortikosteroideve sistemore, por aplikimi i tyre është kontrovers dhe në përgjithësi nuk është pranuar. Natyrisht, pos shërimit në kuptimin e ngushtë të fjalës, merret parasysh edhe mbulimi kozmetik me grim të ndryshëm, që mbulon rajonet e depigmentizuara në fytyrë dhe qafë.

Çka duhet shmangur

Personat që kanë rrezik të sëmuren duhet t’i shmangen ekspozimit në rrezet e diellit, solariume si dhe traumatizimit të lëkurës (nga traumat minimale të irritimit me gardërobë apo me stoli).

Dermatologët këshillojnë bartjen e rrobave të cilat mbrojnë pjesë të mëdha të lëkurës dhe përdorimin e preparateve të mira fotoprotektive me faktorin e lart të mbrojtjes (SPF 50+). Kamuflimi me mjete kozmetike rezistuese nga uji dhe aplikimi i mjeteve për vetë-hijesim vetëm ndihmojnë që vitiligo të mbulohet apo të bëhet më pak e dukshme.

Prognoza e vitiligos

Vitiligo është e paparashikueshme. Vërtet rrallë, por mund të ndodhë vetë-shërimi.

Ndonjëherë edhe pa trajtim mund të ndodhë ripigmentimi. Në ato raste gradualisht rreth qimeve shtohet fusha me pigment dhe gradualisht lëkura merr ngjyrën normale.

Vitiligo nuk dhemb, nuk shkakton kurrfarë vështirësie, pos që i sëmuri për shkak të saj mund të vuajë psikikisht, mund të tërhiqet në vetvete dhe t’i shmanget shoqërisë. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Tetë mënyra efektive për të ndaluar dhimbjen e dhëmbit në kushte shtëpie

Tetë mënyra efektive për të ndaluar dhimbjen e dhëmbit në kushte shtëpie

Shëndetësi
Kalo në kategori