Emma e ka quajtur gazetarja e BBC-së të renë shqiptare për të mos zbuluar identitetin e saj, por për të treguar përmes një rrëfimi prekës sesi u mashtrua nga një djalë i ri, që u kthye në tmerrin e jetës së saj duke e bërë prostitutë teksa familja e saj nuk e pranon.

“Punoja si parukiere. Një djalë i ri më foli për një agjenci modelimi në Gjermani. Më kërkoi të lidheshim së bashku e unë i besova, por asgjë nuk ishte e vërtetë. Që aty nisi ferri për mua”.


E reja tregon se djali që e mashtroi e dërgoi fillimisht në Gjermani, ku e detyroi të dilte në rrugë.

“Në fillim shkuam në Këln. Aty më detyroi të punoja si prostitutë. Më pas u kthyem në Shqipëri dhe unë e detyruar vazhdova të punoja si prostitutë. Më vonë më dërgoi në Itali”.

E pyetur se përse nuk e denoncoi kur arriti të largohej prej tij, vajza thotë se ai ka miq në Polici.

“Në Itali, Policia erdhi në shtëpinë ku na mbanin dhe na ktheu në Shqipëri. Kur shkova në atdheun tim, shkova tek familja ime, por nuk më pranuan”.

E reja rrëfen edhe sesi arriti të largohej nga Shqipëria herën e fundit e të strehohet në Britani ku është marrë nën kujdesin e një shoqate për viktimat e trafikut të qenieve njerëzore.

“Dikush më ndihmoi dhe kalova tri net në rimorkion e një mauneje, ku kisha vetëm ujë dhe asgjë tjetër. Ishte shumë ftohtë, e tmerrshme. Aty e pashë veten shumë pranë vdekjes”.

Në Britani thotë se ndihet e sigurt, por nuk ka më besim tek askush.