Viagra, “arma” e Anglisë kundër Meksikës? Si ndihmon zgjerimi i enëve të gjakut në lartësi të madhe mbidetare


Në lartësinë ku frymëmarrja bëhet më e rëndë, një ilaç i njohur po përmendet si detaj që mund të ndryshojë përgatitjen e lojtarëve
Para ndeshjes Meksikë – Angli, në Angli është hapur një diskutim i papritur për përdorimin e mundshëm të Viagrës si mjet mjekësor për zbutjen e efekteve të lartësisë së madhe mbidetare. Kështu, lartësia mbidetare e Mexico Cityt është bërë temë e rëndësishme me të cilën këto ditë po merren mediat britanike gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit 2026, por këtë herë me një kthesë mjekësore.
Pse britanikët po flasin për Viagrën para ndeshjes kundër Meksikës?
Viagra, ilaçi përbërësi aktiv i së cilës është sildenafili, mund të përdoret ligjërisht, sepse nuk gjendet në listën e substancave të ndaluara të Agjencisë Botërore Antidoping, WADA. Lista e WADA-s për vitin 2026 është në fuqi nga 1 janari 2026 dhe përcakton substancat dhe metodat e ndaluara në sportet ndërkombëtare.
Historia për Viagrën u shfaq për shkak të kushteve në stadiumin Azteca, i cili ndodhet në më shumë se 2.200 metra lartësi mbidetare. Në këtë lartësi, disponueshmëria më e ulët e oksigjenit mund të shkaktojë lodhje më të madhe, frymëmarrje më të vështirë, rikuperim më të ngadalshëm dhe ndjenjë rraskapitjeje te futbollistët që nuk janë aklimatizuar. Sipas shkrimeve të publikuara në gazetën The Guardian, në këto kushte ekipet mysafire mund të përjetojnë rënie të performancës fizike, sidomos gjatë përpjekjeve të përsëritura dhe sprinteve me intensitet të lartë.
Viagra u kthye në temë sepse sildenafili mund të zgjerojë enët e gjakut në mushkëri dhe të ulë presionin pulmonar, një mekanizëm që është studiuar në kontekstin e lartësive të mëdha mbidetare. Megjithatë, gjëja kryesore është që efektet e saj të mos mbivlerësohen. Gazeta britanike The Sun, e cila është marrë më së shumti me këtë temë, po ashtu thekson se studimet tregojnë se ndikimi i Viagrës do të ishte i kufizuar në lartësi nën 4.000 metra, ndërsa Mexico City ndodhet nën këtë prag, transmeton Telegrafi.

Nuk është shaka – Viagra u ndihmon alpinistëve dhe ngjitësve të maleve t’i përballojnë më lehtë lartësitë ekstreme
Edhe pse tingëllon si mit urban apo si shaka, Viagra, përkatësisht sildenafili, në mjekësi vërtet përdoret si ndihmë e parë për alpinistët dhe ngjitësit e maleve, në mënyrë që t’i përballojnë më lehtë lartësitë ekstreme mbidetare. Arsyeja për këtë nuk ka asnjë lidhje me përdorimin parësor të këtij ilaçi, por me mënyrën se si sildenafili vepron në enët e gjakut. Në mal, Viagra mund të ndihmojë në këtë mënyrë:
1. Zgjerimi i enëve të gjakut në mushkëri
Në lartësi të mëdha mbidetare, mbi 3.000 metra, ajri është “më i rrallë” dhe niveli i oksigjenit bie ndjeshëm. Si reagim mbrojtës ndaj mungesës së oksigjenit, enët e gjakut në mushkëritë e njeriut fillojnë të ngushtohen me shpejtësi. Trupi e bën këtë për ta ridrejtuar gjakun, por në lartësi të mëdha kjo çon në rritje të rrezikshme të presionit në mushkëri.
Viagra vepron duke relaksuar muskujt e lëmuar dhe duke zgjeruar enët e gjakut. Kur një alpinist merr Viagra, ajo zgjeron në mënyrë të synuar arteriet në mushkëri, ul presionin pulmonar dhe i mundëson gjakut të qarkullojë më lehtë, si dhe ta shfrytëzojë në mënyrë më efikase atë pak oksigjen që gjendet në ajër.
2. Parandalimi dhe trajtimi i edemës pulmonare të lartësisë
Rreziku më i madh në lartësi ekstreme është HAPE – edema pulmonare e lartësisë, pra grumbullimi i lëngut në mushkëri si pasojë e presionit të lartë të përmendur më sipër. HAPE është gjendje kërcënuese për jetën, e cila shkakton ndjenjë mbytjeje.
Duke qenë se Viagra ul dukshëm presionin në arteriet pulmonare, ajo ndihmon drejtpërdrejt në parandalimin e “rrjedhjes” së lëngut në alveolat e mushkërive. Për këtë arsye, mjekët e rekomandojnë si masë parandaluese ose si trajtim urgjent për alpinistët që janë të prirë ndaj këtij problemi dhe që duhet të ngjiten shpejt në lartësi të mëdha.
3. Rritja e qëndrueshmërisë fizike në “zonën e vdekjes”
Kur enët e gjakut në mushkëri janë të relaksuara, zemra përballet me shumë më pak ngarkesë gjatë pompimit të gjakut. Hulumtimet kanë treguar se alpinistët që përdorin sildenafil në lartësi të mëdha kanë saturim më të mirë, pra ngopje më të mirë të gjakut me oksigjen, ndiejnë më pak lodhje të muskujve dhe mund të përballojnë përpjekje më të mëdha fizike në kushte ku përndryshe mezi do të merrnin frymë.
A e ka ndaluar WADA Viagrën për futbollistët në vitin 2026?
Sipas informacioneve të disponueshme, sildenafili nuk figuron si substancë e ndaluar në listën e substancave të ndaluara të WADA-s për vitin 2026. Kjo do të thotë se, nga këndvështrimi i antidopingut, përdorimi i tij nuk do të ishte i ndaluar nga Agjencia Botërore Antidoping, me kusht që të përdoret nën mbikëqyrje mjekësore dhe në përputhje me rregullat në fuqi të secilit ekip kombëtar. WADA thekson se lista e saj identifikon substancat dhe metodat e ndaluara gjatë garës, jashtë garës ose në sporte të caktuara.
Teksti i gazetës The Sun nuk pretendon se përzgjedhësi Thomas Tuchel tashmë po ua përshkruan ilaçin lojtarëve të tij. Në fakt, fokusi është te aspektet rregullatore dhe mjekësore. Artikulli thekson se, sipas rregulloreve aktuale të WADA-s, Anglia do të mund ta përdorte sildenafilin pa shkelur rregullat antidoping, nëse stafi i saj mjekësor do ta konsideronte të dobishëm.
Ekspertët sportivë theksojnë se përparësia e Meksikës nuk qëndron te ilaçet, por te aklimatizimi. Lojtarët e përfaqësueses meksikane janë më të familjarizuar me kushtet në stadiumin Azteca, ku topi lëviz ndryshe, përpjekja fizike duket më e gjatë, ndërsa rikuperimi mes sprinteve mund të jetë më i vështirë për kundërshtarët që arrijnë me pak kohë për t’u aklimatizuar. /Telegrafi/






































