Një aksident trafiku ka ndodhur të martën rreth orës 18:00 në rrugën nacionale Mitrovicë–Zubin Potok, në segmentin rrugor në fshatin Zhabar, ku një veturë ka goditur një këmbësor të mitur.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.


Ai tha se i mituri i lënduar është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit.

Sipas Zahitit, aksidenti ka ndodhur në rrugën nacionale Mitrovicë–Zubin Potok, në fshatin Zhabar, ku një veturë ka goditur një këmbësor të mitur.

Ndërkohë, nga Shërbimi Emergjent i Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës “Dr. Sami Haxhibeqiri” është bërë e ditur se fëmija ka pranuar ndihmë mjekësore emergjente në orën 18:07.

Sipas konfirmimit të spitalit pas kryerjes së ekzaminimeve të nevojshme, përfshirë Tomografinë e Kompjuterizuar (CT të kokës), i mituri është referuar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tek specialistët e neurokirurgjisë.

Nga spitali kanë bërë të ditur se fëmija është jashtë rrezikut për jetë, por mbetet nën monitorim deri në përcjelljen për në QKUK.