Veteranët e luftës protestojnë sot në Prishtinë, kundër padrejtësive nga Gjykata Speciale dhe në mbrojtje të luftës së UÇK-së

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mbajnë sot një protestë në Prishtinë, duke filluar nga ora 17:00 në kundërshtim të padrejtësive nga Gjykata Speciale dhe raportimeve se dosje e dokumente të Serbisë po përdoren nga Gjykata Speciale në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një konferencë të mbajtur të mërkurën u kanë bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në protestë, në mbrojtje të luftës çlirimtare.
“I ftoj qytetarët që bashkëndjejnë me ne të marrin pjesë në këtë protestë në ora 17:00 në sheshin ‘Skëndërbeu’ për të dërguar një mesazh edhe te bashkësia ndërkombëtare se bashkëluftëtarët tanë nuk janë vetëm, dhe ne do jemi gati t’iu dalim në mbështetje sa herë të jetë nevoja”, është shprehur Gazmend Syla nga OVL e UÇK-së.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Prishtina do t’i bashkohet protestës së OVL-UÇK-së për drejtësi për mbrojtjen e vlerave të luftës.
Ai tha se në mbështetje të kësaj protestë kanë marrë vendim që më 7 gusht transporti urban të jetë falas për të gjithë qytetarët.
“Ne si kryeqytet, më 07 gusht, në mbështetje të protestës, jemi përkujdesur që: transporti urban të jetë falas për të gjithë qytetarët dhe parking falas prapa Pallatit të Rinisë, nga ora 16:00 deri në 18:00, për autobusët që bartin protestuesit”, tha ai.
E para e shtetit, Vjosa Osmani në një konferencë për media e cilësoi jashtëzakonisht shqetësuese pranimin e provave të prodhuara nga shteti i Serbisë nga ana e kësaj gjykate, duke theksuar se ato janë historikisht të falsifikuara dhe për qëllim kanë rishkrimin e historisë së luftës së UÇK-së.
“Nuk ka asnjë përpjekje që mund ta njollosë luftën e drejtë çlirimtare të UÇK-së dhe popullit të Kosovës. Ka qenë luftë për të mbrojtur nga forcat gjenocidale të Millosheviqit,” deklaroi Osmani.
Ajo tha se është fat i keq që edhe sot, pas kaq vitesh, Serbia udhëhiqet nga strukturat e mbetura të regjimit të Millosheviqit, të cilat sipas saj, vazhdojnë të përdorin të njëjtat metoda të manipulimit dhe dezinformimit.
Presidentja u bëri thirrje institucioneve, qytetarëve dhe mbarë popullit shqiptar që të qëndrojnë të bashkuar në mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.
“Duhet të gjithë ne, si institucione, si popull, si komb, t’i bashkojmë forcat tona në mbrojtjen e luftës së drejtë dhe çlirimtare,” përfundoi ajo.
Ndryshe, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ditë më parë ka thënë se me shqetësim ka marr lajmin se Dhomat e Specializuara në Hagë kanë pranuar si prova materiale dokumente të dorëzuara nga institucionet shtetërore të Serbisë, përfshirë Departamentin e Sigurisë Shtetërore, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të ashtuquajturën “Komandë për Kosovën dhe Metohinë”.
Haxhiu në një postim në Facebook shkruan se ky zhvillim është thellësisht i papranueshëm, pasi institucionet në fjalë janë struktura të një regjimi që ka qenë përgjegjës për dhunë sistematike, krime lufte, zhdukje me forcë, gjenocid, spastrime etnike dhe represion brutal ndaj popullit të Kosovës.
“Pranimi i materialeve të prodhuara nga ky regjim si burime të besueshme përbën një deformim të rëndë të drejtësisë dhe një fyerje të hapur ndaj viktimave të luftës dhe sakrificës për liri”, ka thënë ndër të tjera ajo. /Telegrafi/




















































