LAJMI I FUNDIT:

Me vetëm një telefon, Zelenskyy po e përhap vlerën më njerëzore: Shpresën

Me vetëm një telefon, Zelenskyy po e përhap vlerën më njerëzore: Shpresën
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në një video të realizuar me telefon e të postuar nga Kievi

Nga: Gaby Hinsliff
Përktheu: Telegrafi.com

Zgjohu, rrotullohu, kontrollo telefonin për lajmet nga Kievi. Kjo sjellje tashmë po shndërrohet në zakon, në një rutinë të re të çuditshme mëngjesi, jo vetëm për gazetarët ditët e punës të të cilëve kanë zbardhur prej kohësh kështu. Miliona njerëz sot po e ndjekin këtë luftë në kohë reale në mediat sociale, duke u zhytur në një luftë më intimisht dhe më personalisht se kurrë më parë. Nëse ardhja e televizioneve me lajme përgjatë 24 orëve i afroi audiencat e shtëpive më pranë konflikteve të largëta, duke e ndryshuar në mënyrë indirekte kuptimin tonë për to, atëherë telefonat inteligjentë e kanë vendosur luftën në pëllëmbët e duarve tona. Shfletimet në ekran për lajme të këqija po bëhen varësi, megjithëse e keqja duket fjalë e gabuar për një konflikt ku tmerri përzihet me kaq shumë tregime shprese dhe frymëzimi; me tregime të vlefshme që vënë në pah mitet moderne, virale e të paharrueshme, edhe nëse jo gjithmonë të verifikueshme përnjëherë dhe shpesh të përkthyera sipërfaqësisht në anglisht.

Xhenieri i ri ukrainas u tha se e kishte hedhur heroikisht veten në erë, bashkë me urën për të cilën u ngarkua për ta shkatërruar, në mënyrë që ta ngadalësonte përparimin rus. Fshatarët u filmuan duke qëndruar me guxim përballë tankeve. Deputetet femra postuan fotot e tyre duke u stërvitur për përdorim të pushkëve, ndërsa ushtarët e Ishullit të Gjarpërinjve i përshëndesin kërkesat për dorëzimin me përgjigjen tashmë të famshme: “Anijet luftarake ruse, shkoni q… ” (si një “No pasarán” i ri – nuk do të kalosh – ai slogan është kudo; i spërkatur mbi bluzat që shiten për të ndihmuar organizatat bamirëse ukrainase, madje edhe në biskotat që shiten në një furrë buke në Teksas). Dhe, më pas është ai tregimi se si presidenti Volodymyr Zelenskyy e kundërshtoi një amerikan – që ofroi ta çojë në vend më të sigurt – me fjalët se “kam nevojë për municion, jo për udhëtim”. Lufta e ka shndërruar një ish-aktor komedian – me humorin dramatik të të cilit dikur qeshnin – në lider ikonik të kësaj kohe; videot e shkurtra emocionuese që i poston poshtë kryeqytetit të tij të bombarduar, janë të dedikuara për shpërndarje: një Sheherzadë nga jeta reale që i rrëfen botës përralla magjepsëse të shpresës, për t’i mbajtur gjallë bashkatdhetarët e tij – edhe për një natë.


Të rrëfesh tregime tingëllon si diçka joserioze kur krimet e luftës ashiqare e me siguri po shpalosen tani. Por, sa më i zymtë të jetë lajmi nga fronti – teksa trupat ruse po fillojnë të rrethojnë qytetet e t’i bombardojnë civilët për t’i nënshtruar – aq më shumë kanë rëndësi ato. Mungesa e shpresës e bën pjesën tjetër të botës të rri mënjanë, sepse kjo është diçka e tepërt për t’u përballur, ose ndryshe do të shpërndajë postime me qëllime të mira se si nuk duhet të lexohen lajmet kur ju trishtojnë dhe se në vend të kësaj duhet të bëni pak joga. Në anën tjetër, shpresa i mban njerëzit më të angazhuar emocionalisht, si brenda ashtu edhe jashtë vendit; na jep energji për të bërë bamirësi, presion ndaj qeverive që të veprojnë e ndaj kompanive të mëdha që të mos investojnë, si dhe t’i pranojmë me vendosmëri sakrificat që po na shtrohen përderisa po rriten çmimet e gazit, naftës, grurit dhe lëndëve të para. Sondazhi i javës së kaluar për ITV-në zbuloi se 68 për qind e britanikëve pajtohen se qeveria duhet të vendosë çfarëdo sanksionesh ekonomike që mendon se janë efektive, edhe nëse kjo i rrit çmimet e energjisë – megjithëse ndjenjat mund të ndryshojnë kur faturat ia nisin të vijnë te dera. Por, komunikimet strategjike (për t’ia dhënë tregimeve emrin e tyre teknik) ndoshta kanë më shumë rëndësi nëse, siç insiston sekretari i Jashtëm, vendet anëtare të NATO-s po bëhen gati për një angazhim afatgjatë.

Për vite të tëra Rusia e ka shfrytëzuar në mënyrën më të mirë fuqinë e tregimeve në mediat sociale, për t’i manipuluar emocionet dhe për t’i destabilizuar qeveritë në të gjithë Evropën. Ushtria e saj e botave, trollave dhe idiotëve të dobishëm ka nxitur luftëra kulturore, ka përforcuar teoritë e konspiracionit, ka përhapur lajme të rreme dhe është kapur për çdo fije dyshimi dhe ndarjeje, ndërkohë që Perëndimi liberal ngecte me të madhe në kundërpërgjigje. Tani diçka ka ndryshuar. Gjigantët e mediave sociale janë angazhuar të paktën për një kohë të shkurtër, me Google-in që i bllokon kanalet propagandistike si Russia Today dhe Sputnik në YouTube në Evropë, si dhe Meta (Facebook) që godet rrjetet e dezinformimit. BBC po krijon dëgjues të rinj në Rusi – tek ata që janë të etshëm për raportimet e bazuara në realitet e që nuk mund t’i dëgjojnë në shtëpi. Herën tjetër që qeveria jonë e sulmon BBC-në, duhet ta dini se e godet shtëpinë e gazetares Lyse Doucet që raporton me shumë durim gjatë granatimeve, ndërsa buletinet e Shërbimit Botëror të orës tre të mëngjesit po arrijnë te njerëzit që kanë shumë frikë për të fjetur.

Është gjithashtu e habitshme se sa haptas komunitetet e inteligjencës perëndimore kanë shpërndarë informacione rreth planeve të pushtimit rus dhe vështirësive të supozuara operacionale ruse, duke u tallur kështu me Kremlinin paranojak për rrjedhjen e dukshme të informatave. Për herë të parë në shumë vjet po ndihet se Perëndimi po e shfaq përsëri e me vetëbesim historinë e vet – një përrallë shekullore të vlerave liberale kundër tiranisë, që i ka dhënë jetë një demokracie të re aq sa për ta ditur se liria është diçka që nuk merret si e mirëqenë. Megjithatë, ajo që mbetet e pakapshme deri tash është ndjesia e një fundi të lumtur.

Nëse kjo luftë do të ishte shkruar në Hollivud, atëherë do të përfundonte ashtu siç sugjeroi kryetari i bashkisë së Lvivit – me pallatet e oligarkëve në Londër që do të konfiskoheshin e do të përdoreshin për t’i strehuar refugjatët ukrainas deri në kohën kur ata refugjatë do të mund të ktheheshin triumfalisht në shtëpi. Mirëpo, në jetën reale askush nuk e ka ende një narrativë bindëse se si mund të ndalet Vladimir Putini, duke e pasur parasysh hezitimin e kuptueshëm të vendeve të NATO-s për ta përdorur forcën kundër një lideri që kërcënon me Armagedonin bërthamor. Shpresat diplomatike duket se po varen te Kina, për të ndihmuar në ndërmjetësimin e një lloj paqeje, megjithëse kjo do të nënkuptonte një ndryshim tjetër tektonik në aleancat globale – me pasoja të paparashikueshme. Dhe, në kohën që ajo autokolonë vrastare po afrohet çdo ditë e më shumë në kryeqytetin e Ukrainës, po na i ringjall kujtimet e zymta se si përfunduan taktikat ruse të rrethimit të Groznit dhe të Alepos.

Por, çdo ditë që Zelenskyy i shmanget vrasjes, çdo natë që Kievi mund të rezistojë, kjo përjetohet tashmë si mrekulli. Kjo është arsyeja pse ne nuk mund ta ndalim veten që pa nda t’i shfletojmë lajmet. Edhe një natë më shumë. Edhe një tregim më shumë. Edhe një mëngjes shpresëdhënës. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Babai i Loredanës takon Jozin: Kisha dëshirë që ti të shikoje punën tënde, s’më vjen mirë fare të shikoj gjëra të kësaj natyre

Babai i Loredanës takon Jozin: Kisha dëshirë që ti të shikoje punën tënde, s’më vjen mirë fare të shikoj gjëra të kësaj natyre

Magazina
Musk i thotë AfD-së të Gjermanisë se ka shumë 'faj' për 'mëkatet' e gjyshërve nazistë - mijëra njerëz protestojnë në Berlin kundër tyre

Musk i thotë AfD-së të Gjermanisë se ka shumë 'faj' për 'mëkatet' e gjyshërve nazistë - mijëra njerëz protestojnë në Berlin kundër tyre

Evropa
Ukrainasit u shtirën kinse po pësojnë humbje dhe po tërhiqen, futin në kurth rusët – i godasin rëndë me HIMARS

Ukrainasit u shtirën kinse po pësojnë humbje dhe po tërhiqen, futin në kurth rusët – i godasin rëndë me HIMARS

Evropa
“Të kam thënë para se të vijë babai”, Gjesti i kujton Loredanës paralajmërimin që i kishte bërë

“Të kam thënë para se të vijë babai”, Gjesti i kujton Loredanës paralajmërimin që i kishte bërë

Magazina
​“Më shkoj jeta në kredi”, kosovarët me borxhe deri “n’fyt”

​“Më shkoj jeta në kredi”, kosovarët me borxhe deri “n’fyt”

Ekonomi
Tre më të preferuarit e publikut fitojnë imunitet, Gerta shpëton këtë javë pas nominimit të përhershëm nga Aldo

Tre më të preferuarit e publikut fitojnë imunitet, Gerta shpëton këtë javë pas nominimit të përhershëm nga Aldo

Magazina
Kalo në kategori